Barcelonë, rreth një milion protestues kundër pavarësisë

Madridi paralajmëron Policinë e Katalonjës, t’i binden Kushtetutës

Panorama (Albania) - - BOTA -

Qindra mijëra njerëz kanë protestuar të dielën në Katalonjë kundër pavarësisë së shpallur nga Parlamenti Rajonal, duke mbështetur ndërhyrjen e Madridit në vend.

Organizuesit, të cilët thanë se ishin mbledhur rreth një milion protestues, e kanë quajtur shpalljen e pavarësisë si një sulm të paprecedentë në historinë dhe demokracinë spanjolle dhe qëllimi i tyre tashmë është të ruajnë unitetin e Spanjës. Slogani i protestës ishte “Ne jemi të gjithë Katalonja. Mirëkuptim për bashkekzistencë!”. Lideri i shkarkuar i Katalonjës, Carles Puidgemont, ka bërë thirrje që katalanasit të angazhoheshin në opozitë paqësore. Ndërsa Alex Ramos, president për platformën prounion, “Societat Civil Catalana”, tha se “Ne jemi organizuar vonë, por në jemi këtu për të treguar se pjesa më madhe e katalanasve nuk duan më të rrinë të heshtur”. Forcat e prounionit kanë bërë thirrje për të mundur separatistët në zgjedhjet e parakohshme rajonale të 21 dhjetorit. Votimi është thirrur nga Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, pasi ai shkarkoi qeverinë katalanase dhe shkriu Parlamentin rajonal ku u shpall pavarësia. Duke komentuar refuzimin e liderit separatist rajonal, Carles Puigdemont, për të lënë detyrën, lideri i partisë së qendrës së djathtë probiznes, “Ciudadanos” ( qytetarët) Albert Rivera, tha se separatistët po jetonin në një realitet paralel. Kryeministri spanjoll, Rajoy, ka shprehur mbështetjen e tij për tubimin në Barcelonë, për të protestuar ndaj deklaratës së pavarësisë së Parlamentit katalanas. Nënpresidenti i rrëzuar i qeverisë rebele të Katalonjës e ka lënë të hapur mundësinë që partitë separatiste të marrin pjesë në zgjedhje rajonale të thirrur nga qeveria qendrore e Spanjës. Oriol Junqueras shkroi në një letër të hapur, të botuar të dielën në gazetën katalanase “El Punt- Avui”, se forcat separatiste duhet të vazhdojnë përpara, pa hequr dorë kurrë nga kutitë e votimit. Junqueras, presidenti rajonal Carles Puigdemont dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë u shkarkuan nga Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, të shtunën, një ditë pasi Parlamenti i Katalonjës votoi në favor të një deklarate të pavarësisë për rajonin verilindor. Ministri i Jashtëm spanjoll tha se udhëheqësi i rrëzuar i Katalonjës do të kualifikohej për të kandiduar në zgjedhjet rajonale të thirrura nga qeveria qendrore më 21 dhjetor, nëse nuk ishte burgosur deri atëherë. Ministri i Jashtëm, Alfonso Dastis tha për “The Associated Press” në një intervistë në Madrid se, partia e pro- pavarësisë së Carles Puigdemont, teorikisht mund të ishte kandidate. Puigdemont mund të përballet me akuza penale për lëvizjen separatiste që kulmoi në Parlamentin katalanas, me një deklaratë për një republikë të pavarur të premten. Ministri i Brendshëm i Spanjës ka kujtuar Policinë rajonale të Katalonjës për detyrimin e tyre për t’iu bindur Kushtetutës spanjolle dhe ligjeve lokale. Juan Ignacio Zoido shkroi në një letër të hapur, për të gjithë Policinë e vendosur në Katalonjë, të cilat përfshijnë Policinë Kombëtare, Gardën Civile dhe Policinë Rajonale të Katalonjës. Ai shkroi se ata duhet t’u “binden urdhrave, të garantojnë të drejtat e të gjithëve dhe të përmbushin mandatet e Kushtetutës dhe të ligjit të Kartës së Katalonjës”. Policia e Katalonjës, “Mossos d’Esquadra”, ka qenë nën shqyrtim intensiv për pasivitetin e dyshuar të tyre në ndalimin e një referendumi të ndaluar për shkëputjen më 1 tetor. Kryeministri spanjoll, Mario Rajoy ka shkarkuar tre zyrtarët e lartë përgjegjës të “Mossos”, si pjesë e një goditjeje pasi Parlamenti i Katalonjës votoi të premten për pavarësi.

Protesta pro unitetit të Katalonjës me Spanjën

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.