Ja kush është Soraya Saenz de Santamaria

Krahu i djathtë i Rajoy u zgjodh për të drejtuar Katalonjën

Panorama (Albania) - - BOTA -

Soraya Saenz de Santamaria është emëruar nga Qeveria spanjolle si drejtuese e Katalonjës, pas rrëzimit të qeverisë së rajonit autonom. Nëse ajo e menaxhon këtë krizë, mund të bëhet Kryeministrja e ardhshme e Spanjës. Ajo është gjyqtare, avokate dhe politikane e Partisë Popullore. Njihet si krahu i djathtë i Kryeministrit Mariano Rajoy. Gazeta “El Economista” e ka përshkruar atë, së fundmi, si gruaja më e fuqishme në Spanjë. Karriera e saj mund të rrezatojë apo të shuhet, vetëm nga mënyra se si do të menaxhohet kriza në Katalonjë, më e madhja me të cilën është përballur demokracia spanjolle. Soraya Saenz de Santamaria ka lindur në Vajadojid, më 10 qershor të 1971. Si anëtare e Sekretarisë Ekzekutive të Partisë Popullore në vitin 2004, ajo zgjidhet për herë të parë deputete e Parlamentit të Madridit, gjatë legjislaturës së 8 në periudhën 2004- 2008. Rizgjidhet në legjislaturën e 9- të, ku 46vjeçarja ishte zëdhënëse e Grupit Parlamentar në Kongresin e Deputetëve. Më 22 dhjetor 2011, Santamaria është emëruar nga Mariano Rahoi zëvendëskryeministre, zëdhënëse e qeverisë dhe ministre me kompetenca mbi Mbrojtjen dhe Inteligjencën. Në këtë vit ( 2011), ajo u komentua gjatë, pasi u kthye në punë 11 ditë pasi lindi fëmijën e saj të vetëm, duke thënë se kishte shumë për të bërë për vendin, që të dilte nga recesioni ekonomik dhe papunësia e lartë. Pas aktivizimit të paprecedentë të nenit 155 të Kushtetutës së Spanjës, i cili rrëzoi qeverinë e Katalonjës, Soraya Saenz de Santamaria është emëruar presidente e komunitetit të rajonit autonom. Politikania 46vjeçare ka një karrierë të pasur, edh pse shpesh brenda partisë janë shfaqur antipati ndaj saj. Në postin e sekretares së politikës territoriale të Partisë Popullore, Santamaria konsiderohet si eksperte e autonomive lokale dhe sigurisht e njeh shumë mirë situatën e krijuar mes Spanjës dhe Katalonjës.

Kryeministri i Spanjës, Rajoy dhe Soraya Saenz de Santamaria

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.