Forumet te “Luarasi”: “Jo urrejtjes në politikë”

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

“Jo urrejtjes në politikë”, është kjo nisma që ka lënë mënjanë dasitë, duke bërë bashkë si rrallëherë drejtuesit e forumeve rinore të 4 forcave kryesore politike në vend. Prej më shumë se 7 muajsh ka nisur puna për hartimin e një drafti ligjor, që priret të instalojë një kulturë të re në diskursin e çdo individi të veshur me pushtet politik. Si mbështetës i përhershëm i të rinjve, katalizator në promovimin e iniciativave që ata ndërmarrin, Kolegji Universitar “Luarasi” edhe kësaj here i ka thënë “po” ftesës së të rinjtë për t’u bashkuar në projektin e përbashkët për t’i thënë mjaft gjuhës së urrejtjes dhe agresivitetit që përçohet sot nga politikëbërësit. “Në një vend ku dominon urrejtja, në një vend ku është vrarë shpresa, ku të gjithë në emër të popullit flasin se çfarë duhet bërë më mirë, por që me agresivitetin e tyre e bëjnë më pesimist popullin dhe veçanërisht të rinjtë, politikat ekonomike nuk mund të jenë kurrsesi të suksesshme. Prandaj lëvizja ‘ Jo urrejtjes’ nuk duhet të jetë thjesht një aktivitet, por pjesë e një kulture kombëtare. Ne duhet të ndryshojmë kulturën tonë, larg këndvështrimeve thjesht dhe vetëm partiake”, vuri në dukje Prof. Dr. Arben Malaj, rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”. Profesor Malaj i motivoi të rinjtë që të shohin gotën gjysmëplot dhe jo pjesën bosh, sepse vetëm në këtë mënyrë nuk do të arrijnë që të shkatërrojnë atë që është ndërtuar gjatë këtyre viteve. “Nëse do ziheni për pjesën bosh, do përfundoni duke e thyer gotën dhe ne do të fillojmë gjithmonë nga pika zero”. Drejtuesja e projekteve dhe marrëdhënieve me jashtë në forumin rinor të Partisë Socialiste, Ana Abdi, njëherazi edhe nismëtarja e projektligjit për t’i thënë “Jo gjuhës së urrejtjes”, vuri në dukje se fuqia për të ndryshuar është te të rinjtë. Nëpërmjet bashkëpunimit do të monitorohen sjelljet dhe qëndrimet e politikanëve në çdo dalje publike të tyre, të cilat do të raportohen më pas në Këshillin Mbikëqyrës. “Kuvendi është vendi ku çdo të enjte e çdo ditë tjetër kundërshtarët politikë shajnë, fyejnë personalitetin e njëri- tjetrit, ku ligjvënësit shmangen nga tema e ditës dhe fokusohen në debate boshe që nuk i sjellin të mira askujt. Ndaj është shumë e rëndësishme që ta ndalojmë politikën që flet me gjuhën e urrejtjes, politikën pa argumente, që nga degradimi sjell modele që blejnë vota, modele që promovojnë të rinj të pavlerë e të paarsimuar, e për rrjedhojë sjell largimin e shpresës nga vendi ynë”, tha Abdi. Mesazhet për t’i thënë stop gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, përbaltjes dhe agresivitetit u përcollën edhe nga kreu i FRESSH, Eljo Hyska, kreu i Forumit Rinor të PD- së, Belind Këlliçi, Floida Kerpaci, deputete dhe kryetare e Forumit Rinor të LSI- së, si edhe Albano Idrizi, kreu i Forumit Rinor PDIU.

ELJO HYSKA “Forumet rinore të të gjitha forcave politike nuk kanë qenë pjesë e gjuhës së urrejtjes. Detyra jonë është që ta ruajmë këtë status quo që tashmë kanë vendosur lidershipet e reja të forumeve rinore dhe të jemi në gjendje që këtë ta përcjellim te brezat e tjerë”.

BELIND KËLLIÇI “Sot, teksa jemi mbledhur për të diskutuar mbi nismën për të shmangur gjuhën e urrejtjes, që është diçka e domosdoshme, ne nuk kemi të garantuar themelin e demokracisë. Nuk kemi të garantuar votën e lirë. Sfida jonë e përbashkët është të hapim vende të reja pune për të rinjtë e diplomuar, rrëzimi i narkoshtetit, pastrimi i vendit nga të inkriminuarit”.

FLOIDA KERPACI “Kur kam shkuar për herë të parë në Parlament dhe kam folur për problemet e të rinjve, ata që kam pasur përballë më kanë qeshur në fytyrë. Në fakt ishte shumë i vështirë ai podium dhe nuk e fsheh faktin që më ka ardhur për të qarë. Pastaj i thashë vetes: ‘ Unë nuk jam këtu për ata që s’duan të bëjnë asgjë. Jam këtu për ata që duan dhe presin nga ky ndryshim’”.

ALBANO IDRIZI “Njerëzit e refuzojnë gjuhën e urrejtjes. Prandaj unë jam këtu për t’u dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikanëve që janë sot në Parlament, për ata të rinj që aspirojnë politikën apo janë pjesë e politikës, ju lutem mos fusni përçarjen mes njerëzve dhe shfaqni më shumë shqiptarizëm, sepse vetëm kështu vendi ynë do të jetë një vend më i mirë dhe më afër Europës”.

Rektori Malaj me krerët e forumeve rinore të partive politike në Kolegjin Universitar “Luarasi”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.