Instituti “Pashko”, 100 bursa master për Shkenca Sociale në UET

Intervista/ Presidenti i IEP- së, Prof. dr. Selami Xhepa shpjegon këtë iniciativë, kush përfiton nga këto bursa dhe pse kjo mbështetje shkon për shkencat sociale.

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Studentët që kanë mbaruar në programet master në Shkencat Sociale kanë mundësinë të përfitojnë gjysëm burse studimi. Risia vjen nga Instituti Europian Pashko, pjesë e Inciativës Europiane për Edukim. Nisma më e re e këtij instituti synon të mbështesë studentët edhe në studimet e tyre në master, ndryshe nga e zakonshmja që bursat ose gjysëm- bursat funksiononin vetëm për ciklin e parë të studimeve, Bachelor. Presidenti i IEP- së, Prof. dr. Selami Xhepa në një intervistë për gazetën Panorama shpjegon këtë iniciativë, kush përfiton nga këto bursa dhe pse kjo mbështetje shkon për shkencat sociale.

Instituti Europian Pashko ka vendosur që të shtrijë mbështjen me bursa për studentët edhe në studimet Master, pse lindi ideja për një bursë të tillë dhe si do të funksionojë ajo?

Që prej vitit të kaluar akademik, Universiteti Europian administron një program të mbështetjes së studentëve me bursa nëpërmjet Institutit Europian Pashko ( IEP). Siç edhe publiku mund të jetë njohur, në çdo vit akademik IEP ofron deri në 10 bursa sociale, ku studentëve me rezultate të larta, por që kanë rrethana të vështira ekonomike e sociale, ofrohet jo vetëm mbulimi i kostove të plota të studimit, por edhe një mbështetje financiare për të mundësuar jetesën në Tiranë të studentit me një shumë prej 25 mijë lekë të reja në muaj. Politika e IEP është që të thellojë mbështetjen në degët që ka nevojë shoqëria, duke lehtësuar koston e edukimit në të gjitha nivelet e tij, duke përfshirë edhe programet master. Por mbështetja me bursa studimi shtrihet në kategori të caktuara dhe në profile të caktuara studimi, në rastin konkret ky program do të shtrihet për të gjithë të interesuarit në fushën e studimeve sociale. Cilat janë kriteret e përfitimit të kësaj burse?

Kriteret e përfitimit të një gjysëm burse studimi, thënë ndryshe, studentët që do të përfitojnë një zbritje me 50% të tarifës normale të studimit, janë kriteret ligjore që lejojnë regjistrimin e studentëve në këtë program. Pra, nuk do të aplikohen kritere specifike. Por, duke qenë se kuotat e pranimit janë të kufizuara, siç i ka përcaktuar Departamenti përkatës i UET- it, është e kuptueshme që përfituesit do të jenë të kufizuar prandaj parimi që ne do të aplikojmë në përzgjedhje do të jetë “i pari i ardhur, i pari i shërbyer”. Pse kjo bursë fokusohet tek shkencat sociale?

Studimet në shkencat shoqërore në përgjithësi janë fusha ku shoqëria duhet të investojë për arsye se kthimi i këtij investimi, nëse do të ishte privat, është i ulët. Për këtë arsye, shoqëria përfshirë edhe shtetin me politikat e tij, duhet të mbështesin me financim me prioritet degë të tilla studimi. Nga ana tjetër, studimet në shkencat ekonomike, inxhinjerike, etj., janë fusha ku investimi privat është me leverdi për shkak të pagave më të larta dhe oportuniteteve që ofron tregu i punës. Për këto arsye edhe IEP ka ndërtuar një politikë të tillë që të mbështesë financimet për programet e shkencave sociale.

Instituti Pashko para një viti lançoi bursën ‘ Pashko” për studentët e shkëlqyer por në pamundësi ekonomike, sa e kërkuar është kjo bursë dhe sa u ka ndryshuar jeta pas një viti 10 fituese të parë?

Siç e ceka pak më lart, Bursa Pashko është instrumenti kryesor me anë të të cilit ne mbështesim familjet në nevojë për tju mundësuar fëmijëve të tyre të talentuar që të studjojnë në degët që ata preferojnë. Për momentin mundësitë tona financiare na e kanë kufizuar këtë mbështetje për 10 studentë. Kërkesat që ne kemi gjatë vitit janë të shumta: më shumë se 100 studentë kishin aplikuar vitin e kaluar dhe ne kishim të bënim me zgjedhje shumë të forta. Do të dëshironim që kësaj nisme t’i bashkoheshin edhe fondacione apo biznese të tjera. Shkollimi, siç ka treguar përvoja, është e vetmja mënyrë për të bërë që familjet në varfëri, t’i largohen skamjes. Shkollimi rrit ndjeshëm mobilitetin nga një klasë shoqërore me të ardhura të ulëta në një kategori më të lartë të ardhurave. Arsimi i nxjerr familjet nga varfëria dhe shoqëritë nga kurthi i zhvillimit. Programi i bursave Pashko është programi më i dobishëm dhe i drejtpëdrejtë për shoqërinë dhe ne jemi krenar që nëpërmjet tij të ndryshojmë jetët e fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Ku fokusohet puna e IEP- së përveç mbështetjes me bursa të studentëve? IEP është një think tank me një spe- ktër të gjerë të veprimtarisë së vet. Programi ynë kërkimor, që zhvillohet nën ombrellën e madhe të Axhendës Liberale, synon të promovojë zgjerimin e lirive në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Fushat tona të interesit kërkimor dhe për nxitje të debatit publik shtrihen që nga nismat për liberalizimin e tregjeve; menaxhimi shërbimeve publike në kushtet e reja të tregut; shoqëria, feja dhe shteti; edukimi nëpërmjet eksplorimit të trashëgimisë dhe kujtesës historike; filozofinë e rë të edukimit., etj. Si pjesë e këtij programi kërkimor janë jo vetëm studjues të vetë Universitetit tonë, por edhe studjues të jashtëm të interesuar për këto fusha kërkimore. IEP ka lançuar programin e fellowships ku dhjetë doktorantë ose kërkues shkencor mund të atashohen për të kryer punën e tyre kërkimore. Teza më e mirë e kërkimit që gjykohet nga një juri e pavarur që miratohet nga Bordi i IEP, vlerësohet me Çmimin Pashko që ka dhe një vlerë monetare prej 2,500 euro. Ky program synon të lëvrojë kërkimin shkencor për të avancuar axhendën e reformave liberalizuese në ekonomi. Përvec tyre, IEP ka dhe një sërë projektesh të tjeta kërkimore me donatorë të huaj, një tërësi aktivitetsh periodike siç janë Rrethi liberal i Dardhës, Forumi Ekonomik i Tiranës, Klubi letrar dhe Çmimi Kadare, etj.

Prof. dr. Selami Xhepa

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.