Kush është Helidon Bendo, karriera 21- vjeçare në SHISH që nga Gazidede

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Helidon Bendo prej 18 muajsh mban postin e zv. drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, por ai ka një përvojë 21vjeçare në këtë shërbim. Ai është marrë në shërbim në vitin 1996, kur në krye të tij ishte Bashkim Gazidede. Bendo i ka kaluar të gjitha shkallët e përgjegjësisë në Shërbimin Informativ Shtetëror, duke filluar nga agjent terreni, më pas kryetar Dege, drejtor drejtorie në disa qarqe të vendit dhe drejtor drejtorie në Aparatin Qendror të SHISH. Siç ndodh me Shërbimin Informativ Shqiptar, trajnimet e Bendos në çështjet e sigurisë janë kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa është diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në vitin 1993, i treti nga drejtorët e SHISH në këtë degë, Bendo ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tremujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Town në SHBA. Gjithashtu, ai ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit. Në formularin e dekriminalizimit që Bendo ka dorëzuar në Presidencë, thuhet se gjatë periudhës korrik 1991 deri në nëntor 1993, ka qëndruar në Greqi, në Evia, Lutsa dhe Athinë si emigrant. Në shtetin grek Bendo ka pasur emrin Johan, që siç saktëson në formularin e dekriminalizimit, e ka emrin e pagëzimit. Bendo deklaron se nuk është dënuar me ndonjë vendim të formës së prerë dhe as me ndonjë vendim gjyqësor jopërfundimtar. Bendo deklaron në CV- në e tij se i pëlqen të lexojë, peshkojë, udhëtojë dhe të kalojë kohë me familjen e tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.