Nis vetingu, Kushtetuesja rrëzon ankimin e fundit

Lu: Kemi shumë lajme të këqija dhe sot është një ditë shprese

Panorama (Albania) - - POLITIKE - Gjykata Kushtetuese

Tri institucionet e vetingut që do të “pastrojnë” sistemin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, nisën dje zyrtarisht punën. Dje u inaugurua godina ku do të ushtrojnë funksionin për 8 vitet e ardhshme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë. Gjatë ceremonisë, kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo, theksoi se gjatë rrugëtimit të procesit të miratimit të vetingut, janë përballur me vështirësi. “Në këtë rrugëtim të vështirë të kërcënuar nga shumë aktorë dhe faktorë përfitues të sistemit të pandëshkueshmërisë, ia dolëm në krye vetëm sepse reforma ka pasur në çdo hap të sajin përkrahjen e pakushtëzuar të të gjithë shqiptarëve kudo. Puna jonë merr jetë nga kontrolli i dosjeve, të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit të gjyqtarëve e të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Bungo. Ndërkohë që kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, u shpreh se duhen pastruar radhët e drejtësisë nga njerëzit që e kanë dëmtuar atë. “Është fakt i pakundërshtueshëm se pa pastruar radhët tona dhe pa e konfirmuar përpara publikut se jemi ndarë nga elementë që janë shkaktarë të rep- utacionit tonë të dëmtuar dhe të rënë në sy të publikut, do të ishte e pamundur të rifillojmë njërën prej betejave tona më madhore, të krijimit të bindjes te publiku se edhe drejtësia shqiptare është ashtu siç duhet të jetë, e drejtë dhe e ndershme”, tha Mulaj. Përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, tha se ky është një proces i gjatë dhe me sfida, ndërsa përkushtimi i ONM nuk do të mungojë për të bërë operacionet e nevojshme në drejtësi. Ndërkohë Donald Lu, ambasadori amerikan në Tiranë, e ka quajtur nisjen e vetingut si një ditë shprese. “Anembanë botës kemi kaq shumë lajme të këqija dhe sot është një ditë për shpresë në Shqipëri”, u shpreh Lu.

KUSHTETUESJA Ndërkohë po dje, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e fundit për ligjin e vetingut. Mbledhja me dyer të mbyllura vendosi rrëzimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve, që ankimoi në Kushtetuese nenet që lidhen me kontrollin e figurës së magjistratëve. Vetingu përfshin në verifikim lidhjet e gjyqtarëve apo prokurorëve “me persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar” sipas “informacioneve konfidenciale” pa një vendim të formës së prerë. Por Gjykata nuk i pranoi këto pretendime.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.