“Dru i shtrembër, vemje njeriu”, Tahiri: Do kisha reaguar ndryshe nga Rama

Ish- ministri flet për makinën që u shiti Habilajve dhe largimin nga politika: Ka disa që e kanë uruar edhe kur isha në detyrë

Panorama (Albania) - - POLITIKE - TIRANE

Ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka hapur dyert e shtëpisë për emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, duke rrëfyer momentet e kontrollit policor në banesën e tij. Tahiri tregoi për raportin me deputetët e PS, marrëdhëniet me kryeministrin dhe mënyrën se si do sillej ai nëse do të kishte qenë në vend të Ramës.

Një nga gjërat që kur flet me njerëzit është kur njerëz të huaj futen në shtëpi. Larg qoftë vjedhje apo diçka tjetër. Si u ndjeve kur pe policët gjyqësorë në shtëpinë tënde?

Ndjesi e sikletshme, por jo e paparashikuar për mua. Detyra më ka bërë që të shikoja anën e atyre që hynin në shtëpinë e njerëzve.

Ndërkohë është dhe ajo ideja që policët, me të cilët ndërtove një raport prej kaq vitesh, tashme ata të ruajnë ty, po me gjasë jo vetëm kaq?

Është procedurë goxha e vështirë për familjarët, kam kuptuar në njëfarë mënyre ata që janë ndjerë disi të dhunuar nga Policia dhe u kam dhënë më shumë të drejtë atyre që në kohën kur mallkoheshin, i neglizhoja pak. Por në këtë rast është e detyrueshme për persona që janë në situatën time.

Si e ka përjetuar familja gjithë këtë situatë?

Me stres të madh, s’ta përshkruaj dot, por po mundohem unë t’i jap pak forcë. Askush nga këta s’ka menduar që deri ku me te drejtë që të bësh politikë në Shqipëri ka dhe këtë kosto.

Një njeri i pafajshëm thotë më hetoni ose më arrestoni, por kjo nuk ndryshon faktin që unë ndihem i pafajshëm. U duk sikur ju patë një ndryshim qëndrimi, më pas PS ndryshoi qëndrim, flas për kërkesën e Prokurorisë. Edhe përjashtimi që ju bëri PS u duk sikur kishte dy standarde. Gjyqin politik po e bën PS, ndërkohë gjyqin e vërtetë...?

Unë s’pranoj asnjë gjyq politik nga askush.

Pse nuk ishte gjyq politik ai që bëri PS ndaj jush?

Unë nuk besoj dhe nuk e pashë ashtu. Por nëse në PS apo në Grupin Parlamentar e çojnë nëpër mend se mund të bëjnë gjyqin politik për mua, unë s’e pranoj në asnjë rast.

Ti je i përgjuar, i survejuar. Kur u futa në këtë shtëpi, m’u krijua ndjesia që këtu është një burg virtual për ty?!

Nuk më shqetëson fare. Mund të më përgjojnë sa të duan. Mund të monitorojnë jetën time sa të duan, nuk kam asnjë stres për këtë. As që e vras mendjen për këtë, madje mund të vijnë në shtëpinë time të flenë me mua.

Se si m’u duk kur gjatë fjalës suaj në Parlament nuk e kthyet kokën në asnjë moment për të parë ish- kolegët tuaj të PS?

Janë ende kolegët e mi. Unë nuk di të jem përjashtuar nga PS deri më sot. S’ka pas asnjë lloj indiferencë, por ka pas mirëkuptim njerëzor për të gjithë kolegët e mi në Parlament, por dhe njerëzit në PS e jo vetëm, që me të drejtë në këtë moment ndoshta s’mjaftohen me fjalët e mia dhe është e kuptueshme. Në Parlament nuk pres të bëj gjyqin tim dhe nuk pres në Parlament të gjykoj pozitën time. Ai parlament është defaktorizuar dhe është komplet jashtë çdo pritshmërie të qytetarëve. Unë në këto momente që jam, nuk e shoh të arsyeshme të humbja kohë, sepse nuk e kam aty betejën, por e kam me drejtësinë.

Kryeministri përdori një shprehje kur për herë të parë ishte diskutuar çështja e makinës “Audi” të famshme. Tha që paske bërë diçka që do t’u japësh ushqim qenve për një kohë të gjatë. Për kë e kishte për qen?

Mund të them siç ia kam thënë kryeministrit, që mund të isha treguar më i kujdesshëm në shitjen e makinës. Por ky është një gabim njerëzor që mua po më kushton. Nëse do isha menduar gjatë në atë kohë, nuk do ta bëja.

Si e shikoni distancën e Kryeministrit Rama me ju? Duket sikur e ka shtuar distancën politike ndaj Saimir Tahirit. Përdori një shprehje “dru i shtrembër”, të cilin të gjithë e komentuan se ishte për ju.

Unë them që duhet të pyes- ni Edi Ramën. Nuk kam dëshirë të komentoj. Deklaratat e çdokujt prej nesh duhen lexuar në kontekstin e madh që ndodhin. Nuk prirem ta gjykoj, pavarësisht se disa nga gjërat që kam dëgjuar, unë do t’i bëja ndryshe. Po kjo është çështje e zgjedhjes personale dhe mënyrën se si e jeton secili politikën dhe raportin me publikun.

Duket sikur kërkon të japë në publik perceptimin se ju ka pasur le të themi bashkëpunëtorin më të afërt dhe ndihet i zhgënjyer nga ju? A ka raport personal midis Saimir Tahirit dhe Edi Ramës?

Unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë nga kryeministri këtë lloj zhgënjimi.

“I kam besuar Saimir Tahirit, shpresoj të mos pengohem që i kam besuar atij aq shumë. Me gjërat që kam dhënë dhe kam marrë me Saimirin...”

Normale siç është, kemi pasur një raport që për shkak të punës, ishim të detyruar të komunikonim disa herë në ditë, normale që ai ka pasur besim tek unë. Normale që unë ia kam kthyer mbrapsht me besim sigurisht dhe luajalitet. Edhe unë të isha në pozitën e tij, të njëjtën gjë do thosha. Uroj që të mos zhgënjehem nga njeriu që kam pasur në krah. Kjo është shumë normale. Nuk shoh hata në atë që thotë kryeministri. Mënyrën si e tha apo fjalët që zgjodhi, janë të përshtatshme, janë zgjedhja e tij. Ca gjëra patjetër do t’i thosha ndryshe.

Ka shumë që thonë se pavarësisht si do shkojë procesi gjyqësor, Saimir Tahiri e ka mbyllur karrierën politike. Ju si i përgjigjeni kësaj?

E di që ka njerëz që e mendojnë këtë. E kanë menduar dhe uruar kur kam qenë në detyrë. Nuk është normale, por dhe s’ka ndonjë problem. Karrierën politike unë nuk e mbyll me urdhër të askujt dhe kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër përveçse me besimin e njerëzve. N. q. s njerëzit besojnë tek e vërteta ime, kjo edhe pas procesit të hetimit, apo njerëzit nuk besojnë, kjo e ndan nëse një njeri ka karrierë politike apo jo. Mua kjo nuk më shqetëson fare, dhe nuk jam nga ata që fatin tim ua lë të tjerëve.

Ju s’keni udhëtuar asnjëherë me këta persona në makinën “Audi”?

As me Artan Habilajn nuk keni udhëtuar?

Përveç familjes sime, në makinën time nuk ka udhëtuar askush asnjëherë. Dhe s’mund të ndodhte kurrë. N. q. s unë do kisha gjë për të fshehur, do merrja në përdorim makinën që kishte emrin tim?! N. q. s unë do kisha gjë për fshehur, do merrja këtë makinë? N. q. s unë do kisha gjë për të fshehur, do ndaloja te polici në kufi dhe do regjistrohesha si çdo njeri tjetër? S’kisha unë mundësi si ministër t’u fshihesha këtyre gjërave? S’kisha unë si ministër mundësi të mos lija gjurmë kërrkund. S’kam pasur gjë për të fshehur as sot dhe as atëherë. Unë i kam bërë gjërat e thjeshta, ndoshta duhej të tregohesha më i kujdesshëm dhe të verifikoja kujt ia kam shituar makinën...

Dje gjatë emisionit “Top Story”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.