Zbardhet debati në Grup, deputetët: Jo analizë nga ata që punuan kundër PD

Kosova, Noka e Vokshi i kërkojnë të ndryshojë emrat. Basha: Analiza e humbjes do jetë proces bashkimi dhe jo ndarjeje!

Panorama (Albania) - - POLITIKE - Halim Kosova JUXHIN MUSTAFARAJ

Analiza e humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit po shoqërohet me debate të forta në forumet e brendshme të Partisë Demokratike. Pakënaqësitë për emrat e dërguar në degët lokale nga kreu i PD- së, Lulzim Basha, janë përcjellë gjatë mbledhjes së përjavshme të Grupit Parlamentar Demokrat nga një grup deputetesh. Flamur Noka, Halim Kosova dhe Albana Vokshi i kanë kërkuar Lulzim Bashës të tërheqë nga procesi i analizës një grup të të deleguarve në bazë, si pasojë e mungesës së angazhimit të tyre në fushatë dhe tendencave të shfaqura për të thelluar humbjen. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit Parlamentar të PD, pohojnë se deputetët kanë ngritur shqetësimin për pjesëmarrje në procesin e analizës të disa prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar, por edhe anëtarëve të Kryesisë së PD- së, të cilët, nisur nga qejfmbetjet e listave, nuk morën pjesë në fushatë apo bënë telefonata te baza për të mos votuar Partinë Demokratike. Burime të tjera deklaruan për “Panorama”, se një pjesë e grupit të deklaruar anti- Basha në parti, ndonëse i janë ngarkuar përgjegjësi për të qenë në degë të PD- së për procesin e analizës, po i bojkotojnë ato. Shqetësimi i deputetëve demokratë lidhet me anëtarët e kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, që pas publikimit të listave dolën hapur kundër Partisë Demokratike dhe menjëherë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, kërkuan largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Në debatin e Grupit Parlamentar, Basha ka kërkuar që deputetët të respektojnë vetëm udhëzimin, duke pranuar se përfshirja e të gjithë anëtarëve synon bashkimin dhe jo përçarjen e PD. Grupet e punës që do të analizojnë rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, do të duhet të identifikojnë edhe demokratët, që nuk preferuan të marrin pjesë në zgjedhje apo ata që votuan për kundërshtarin politik, efektivitetin e kandidatëve: komunikimi, përfaqësimi, harmonizimi me strukturën, reagimi i votuesve dhe rolin e përfshirjen e figurave me potencial politik në fushatë.

DEBATI NË GRUPIN E PD

Halim Kosova: Kryetar, unë kisha për të diskutuar një shqetësim që nuk lidhet me procesin e analizës së brendshme që kemi nisur pas udhëzimit tuaj. Në gjykimin tim, por edhe nga komunikimet e vazhdueshme që kam me përfaqësues të seksioneve dhe grupseksioneve, ka një pakënaqësi, deri në refuzim të disa prej njerëzve që vijnë për të bërë analizën. Nuk ka asnjë kuptim, që në ato mbledhjet që ne zhvillojmë për të kuptuar arsyet përse arritëm të merrnim atë rezultat në 25 qershor, të vijnë njerëz që minimalisht qëndruan pasivë gjatë fushatës zgjedhore dhe akoma më keq, njerëz që kanë punuar kundër në fushatë. Nuk mund të rrinë në të njëjtën tavolinë edhe njerëz që kanë punuar për të arritur fitoren e atyre mandateve dhe të tjerë, që u përpoqën për të thelluar humbjen. Është e qartë, këta njerëz nuk kanë punuar për fitoren e PD dhe nuk duhet të jenë, në gjykimin tim, pjesë e procesit të analizës. Duhet të shkojmë me një moral të lartë dhe me njerëz të moralshëm e punëtorë e me kontribute te strukturat tona. Ata që punuan kundër PD- së, le të vijnë këtu në seli, të japin mendimet e tyre në forumet që bëjnë pjesë, por nuk mund të mbajnë flamurin e debatit të analizës.

Flamur Noka: Këtë shqetësim e kam edhe unë, madje j’ua kam shprehur edhe personalisht kryetar. Unë e kam të pamundur të pranoj në mbledhjet e analizës njerëz, që unë e di fare mirë që kanë bërë telefonata kundër PD- së në fushatë. Funksionarë të PD- së që kanë marrë njerëz në telefon, për t’i kërkuar që të mos dalin të votojnë apo të votojnë kundër PDsë për shkak të prishjes së ambicieve të tyre brenda partisë. Ata që në zgjedhje dhe mbas zgjedhjeve kanë dalë hapur kundër PD- së, nuk duhet të kenë vend në tryezën e atyre që kontribuuan për fitoren tonë në zgjedhje. Në këtë mënyrë, lehtësojmë edhe bazën. Sepse është e qartë, ne i dimë fare mirë njerëzit që punuan kundër PD- së në zonat e gjithsecilit, por edhe përfaqësuesit lokalë tanët i dinë akoma më mirë cilët janë ata. Ne nuk duam njerëz që të vijnë në mbledhje, duke bërë sikur i dhimbset PD apo kanë mbetur të zhgënjyer për rezultatin që ne morëm. Është më e ndershme që ata vetë të mos vijnë, ose ju kryetar t’i hiqni këta persona, në mënyrë që edhe rezultati i analizës të jetë ai që të gjithë presim.

Albana Vokshi: Problemi është se në mbledhjet që ne zhvillojmë, ka persona të veçantë që vijnë me axhendë të përcaktuar. Është e lexueshme dhe nuk ka vend për diskutim, që disa persona që hapur punuan kundër PD- së dhe u shprehën akoma më të ashpër pas humbjes, vijnë në mbledhjet e analizës me një axhendë të tyre. Sot ka njerëz që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e PD- së, që vijnë në mbledhjet e analizës për të diskutuar në lidhje me arsyet e humbjes. Përfaqësuesit tanë në degë i dinë, i njohin dhe e kanë parë kontributin e secilit prej anëtarëve të PD- së në këto zgjedhje. Ndaj edhe prezenca e disa përfaqësuesve përbën shqetësim dhe pse jo një acarim për anëtarët tanë në degë.

Lulzim Basha: Unë e kam thënë qartë dhe i qëndroj vendimit tim. Procesi i analizës së zgjedhjeve do të jetë gjithashtu një proces bashkimi dhe jo ndarjeje të demokratëve. Unë ju kërkoj të zbatoni udhëzimin që unë kam firmosur. Aty gjithçka është e qartë. Nuk ka asnjë të emëruar nga unë në krye të proceseve të analizës në të gjitha degët e PD. Çdo anëtar është i deleguar në bazë të posteve apo detyrave që kanë në parti, dikush anëtar i Këshillit Kombëtar, dikush anëtar kryesie, deputetët gjithashtu. Unë nuk jam me individët, jam me strukturat. Më interesojnë që ata të thonë fjalën e tyre, më intereson të di çfarë mendojnë demokratët e thjeshtë në lidhje me humbjen e PD. Sa për të tjerat, gjithsecili ndodhet në mbledhjet e analizës për shkak të detyrave apo pozicionit që ka në parti. Gjithsecilit prej jush i kërkoj vetëm të respektojë udhëzimin tim!

Nga mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.