Ushtarakët bashkohen, kërkesë Qeverisë: Duhet të kthejë 9.3 milionë euro debi

Borxhi i krijuar nga rillogaritja e pensioneve, paralajmërojnë protestë në formë kundërshtie ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë

Panorama (Albania) - - SOCIALE - ADA HAZIZOLLI

Të bëra bashkë, shoqatat e ushtarakëve i kanë dhënë zë kërkesës së tyre, drejtuar qeverisë, për kthimin pas të 9.3 milionë eurove.

Është kjo fatura që rëndon nga rillogaritja e pensioneve për ushtarakët e dalë në pension. Amnistia e miratuar një vit më parë, mbylli një pjesë të kësaj plage, por nuk i dha zgjidhje shteruese problemit, sa kohë ka ende nga ata, të cilët vuajnë pasojat nga miratimi i Aktit Normativ në 2010. Jo më larg se dje, 26 shoqata janë dakordësuar për të lënë mënjanë dasitë dhe për t’u bashkuar në një logo të vetme, e cila do të përfaqësojë interesat e tyre. Konventës së djeshme nuk iu bashkua vetëm Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë e drejtuar nga Thoma Konduri. Gazeta zbardh sot disa nga pikat e rezolutës së përbashkët, në të cilën janë përvijuar kërkesat, por edhe hapat e mëtejshme që do të ndërmarrë shoqata “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë” ( BKUSH). Kthimi pas i borxhit të krijuar, do të jetë kërkesa e parë që do t’i drejtohet qeverisë. “Shoqata Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë, referuar nenit 116/ 1 të Kushtetutës, do t’i kërkojë publikisht Këshillit të Ministrave të hartojë urgjentisht një Vendim Administrativ, për ta detyruar ISSH- në, që t’u kthyer ushtarakëve borxhin në shumën 12.3 milionë euro, minus 3 milionë USD të kthyera”, thuhet specifikisht në rezolutë.

PROTESTA Qëndrim do të mbahet edhe ndaj edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, miratuar rreth një vit më parë. Deri në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka marrë në ngarkim çështjen, ushtarakët kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq, por do të protestojnë. “Shoqata Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë do të mbrojë pa rezerva interesat ligjore dhe të drejtat e Ushtarakëve Veteranë dhe Aktivë, në Rezervë, në Pension të Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi, në Lirim ose në Pension të plotë Pleqërie; në këtë kuadër, së shpejti, pas regjistrimit de jure të saj, do të organizojë një tubim protestues kundër vendimit antikushtetues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku do kërkojë që ushtarakëve t’u jepet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, konform statusit të ushtarakut 2004, në përputhje me nenin 14 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2010", thuhet më tej në rezolutë. Vendimi penalizon të gjithë ata që kanë dalë në pension të parakohshëm dhe që aktualisht janë në proces gjyqësor. Bëhet fjalë për më shumë se 1 mijë ishushtarakë që preken, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë shtetit shuma që variojnë nga 2 deri në 37 milionë lekë të

vjetër.

PUNËSIMI Çfarë nuk mbeti në hije, ishte edhe shqetësimi i kahershëm mbi punësimin e ushtarakëve që dalin në rezervë. Dokumenti që mori aprovimin e të gjithë pjesëmarrësve në konventë, ka sanksionuar edhe angazhimin për të kërkuar nga qeveria integrimin e kësaj kategorie në tregun e punës. “Shoqata Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë mëton se Shteti duhet të njohë ligjërisht detyrimin për të trajnuar në profesione të tjera integruese për ekonominë e tregut ushtarakët e nxjerrë në rezervë dhe lirim, të cilët janë në moshë pune dhe nuk njohin profesion tjetër, përveç atij të ushtarakut; duke i ndihmuar të punësohen. Deri në momentin e punësimit, t’u plotësojë atyre në masën 100% rrogën që kanë pasur në profesionin e ushtarakut”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.