Shmanget krimi në familje, Policia ndalon burrin me armë

Policia arrestoi Saimir P. dhe i sekuestroi një automatik

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Një konflikt në familje për pak sa nuk u kthye në tragjedi. Një bashkëshort i dhunshëm u ndalua në kohë nga Policia e Vorës, teksa po dhunonte bashkëshorten e tij.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Picarë të Vorës. Sipas Policisë, shtetasi Saimir P. ka qenë duke dhunuar bashkëshorten e tij, shtetasen M. P. në banesë, kur ka mbërritur Policia. Forcat “blu” kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur neutralizimin e bashkëshortit të dhunshëm, i cili ishte edhe i armatosur. Kështu, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Saimir P., 44 vjeç, kishte në banesë një armë automatike, model 56, si edhe një armë të ftohtë, e llojit thikë. Policia tha se konflikti mes bashkëshortit dhe gruas së tij ishte përshkallëzuar dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme, u bë i mundur evitimi i tragjedisë. Tashmë, mbi 44- vjeçarin do të rëndojnë tri akuza. E para është ajo e “dhunës në familje” dhe më pas “mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe atyre të ftohta”, që janë dy akuza të ndryshme. Ka qenë një telefonatë në Komisariatin e Policisë së Vorës, ajo që ka vënë nën alarm uniformat “blu”. “Në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë se në një banesë, në Picarë, Vorë, ka një konflikt. Menjëherë janë nisur shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, të cilat kanë konstatuar një konflikt në familje dhe kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të këtij konflikti, pasi shtetasi Saimir P., po ushtronte dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases M. P.”, shkruan njoftimi i Policisë. Nga kontrolli i banesës së këtij shtetasi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri, automatik model 56, me tre krehëra dhe 90 fishekë; një armë e ftohtë, me dy tehe ( thikë si ato ushtaraket). Nga veprimet hetimore të kryera dhe provat materiale të sekuestruara, Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Saimir P., 44 vjeç, banues në Picarë, Vorë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga Nenet 130/ a, 278/ 3 dhe 279/ 1 të Kodit Penal”, përfundon njoftimi i Policisë.

Arma e sekuestruar nga Policia

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.