Hajdutët bëjnë kërdinë në dy vila luksoze në Tiranë

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Dy vila luksoze kanë rënë pre e vjedhjes në Tiranë. Bëhet fjalë për dy banesa në dy komplekse rezidenciale luksoze në afërsi të “Liqenit të Thatë” në kryeqytet. E para është vjedhur nga persona ende të paidentifikuar në rrugën “Eduart Mano”, ku sipas Policisë, janë vjedhur rreth 1 mijë euro. Ndërsa e dyta, në rrugën “Peti”, në një kompleks tjetër rezidencial, ku hajdutët kanë mundur të marrin një shumë, po prej 1 mijë eurosh dhe rreth 750 paund. Në të dyja vjedhjet janë përdorur teknika të ngjashme thyerjeje dhe Policia e Tiranës dyshon se kemi të bëjmë me të njëjtët autorë. Deri më tani nuk është bërë ende i mundur identifikimi i autorëve. Po kështu, Policia bën me dije se vila e parë, ajo në rrugën “Eduart Mano”, që është në pronësi të shtetasit A. R., 37 vjeç, është vjedhur më 29 tetor. Ndërsa e dyta, e cila është në pronësi të shtetasit S. H., 57 vjeç, është vjedhur më 28 tetor. Gjithashtu, ka shumë dyshime për mënyrën se si kanë hyrë hajdutët në komplekset rezidenciale. Ato janë të rrethuara me mure dhe janë nën vëzhgim të rojeve. Deri më tani janë sekuestruar pamjet filmike të murit rrethues për të gjetur ndonjë gjurmë apo të dhënë që mund të çojë Policinë drejt zbulimit të autorëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.