Tare dhe Strakosha bëjnë ligjin në Itali

Drejtori sportiv, vlerësim maksimal nga sportdashësit

Panorama (Albania) - - SPORT -

Pas çdo ndeshjeje apo çdo jave të luajtur në Serinë A, emri i Thomas Strakoshës është në krye të listave për gardianët e spikatur.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, kur prestigjiozja italiane "Gazetta Dello Sport", ka përpiluar një material special me statistika në lidhje me gardianët e Serisë A. Në këtë listë, matësi kryesor dhe elementi që ka përcaktuar renditjen e tyre është pritja që ka bërë sezonin e përllogaritur në përqindje. Thomas Strakosha është i dyti në këtë renditje, në bazë të ecurisë së deritanishme që kanë bërë skuadrat dhe portierët e elitës së futbollit italian.

STRAKOSHA

Gardiani i Lacios ka arritur të renditet në vendin e dytë, në bazë të përqindjes së pritjeve që ka bërë deri më tani në kampionatin italian. Gardiani i Kombëtares e gjen veten me 78.9% pritje dhe gjendet pas portierit të Romës, Alison, me 86.5% pritje. Shqiptari ka arritur të lërë pas emra si Handanoviç, që po tregon superformë me Interin javë pas jave, apo edhe Bufon e Donaruma, të cilët janë edhe dy gardianët më të përfolur në Itali për cilësitë e tyre. Portieri tjetër i Kombëtares, Etrit Berisha, renditet në vendin e 17- të dhe lë pas gardianin e Milanit, Donarumën, i cili është në vendin e parafundit. Strakosha, me paraqitjet e vazhdueshme që është duke bërë si në Serinë A, ashtu edhe në Europa Ligë me Lacion, ka arritur që të rritë shumë vlerën e kartonit të tij dhe të bëhet një portier i lakmueshëm nga skuadrat e mëdha. Madje, së fundmi, në mediat italiane është përmendur edhe fakti që mund të jetë kandidaturë për të zëvendësuar Bufon te Juventusi.

TARE

"Nuk jemi më një surprizë në Itali", e tillë është një nga frazat e thëna së fundmi nga Igli Tare në mediat italiane për Lacion. Kush më mirë se drejtori sportiv e di punën e madhe që është bërë për ndërtimin e këtij ekipi, që është duke bërë mjaft mirë gjatë këtij sezoni. Lojtarë me profil të ulët, me vlerë jo shumë të kushtueshme në treg, por me shumë cilësi për kampionatin italian dhe jo vetëm, e kanë bërë skuadrën kryeqytetase në Itali një prej pretendenteve për vendet e sipërme në klasifikim. Për këtë, puna e drejtorit sportiv të Lacios, krahas pikëve që merr ekipi, ka marrë së fundmi edhe një vlerësim nga vetë sportdashësit në Itali. "Tuttomercatoweb" ka bërë një sondazh në lidhje me punën e drejtuesve të skuadrave, ku votuesit e sondazhit kanë veçuar Taren si personin me përqindjen më të lartë të votave. Thënë ndryshe, Tare dhe Strakosha, secili në profilin e tij të punës, po bëjnë ligjin në Itali…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.