Që historia e Shqipërisë të mos gërshetohet me historinë e krimit

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - PËLLUMB NAKO

Në media pamë të shfaqet zv/ ministri i Brendshëm...

i cili njoftoi publikun për miratimin nga ana e qeverisë të ligjit “Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Brendshëm”, i njohur ndryshe me emërtimin “vetingu në polici”. Objektivat që parashikon të realizojë kjo nismë janë tri: lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë, lufta kundër lidhjeve të saj me krimin dhe evidentimi i aftësive profesionale.

Nëse do të shkëputej evidentimi i aftësive si komponent, dy të tjerat, korrupsioni dhe lidhjet me krimin, duhen parë në një kontekst politiko- social më të gjerë.

Kur në Italinë fqinje, vite më parë, në Palermo u vra gjenerali Dalla Chiesa, duke mësuar lajmin, viktima e ardhshme e mafies, Xhovani Falkone tha: “Në Itali, korrupsioni dhe mafia kanë një konsensus më të gjerë popullor se sa brigadat e kuqe”. ( duke aluduar për sukseset e gjeneralit në luftën kundër brigadave të kuqe terroriste.) Kjo thënie e dhimbshme, por esencë e një eksperience të gjerë në luftë kundër mafies dhe fijeve të saj në pushtet, nuk nënkuptonte domosdoshmërisht në një anë shtetin dhe në anën tjetër të keqen. Në këtë të fundit rreshtoheshin edhe devijimet e shtetit.

Thënia ngelet realitet i hidhur dhe alarm edhe për shoqërinë shqiptare. Korrupsioni është kaq shumë i pranishëm sepse në radhë të parë, ai ekziston si një formë klasike e ushtrimit të pushtetit, të paktën nga një komponent i klasës drejtuese. Në stadin e sotëm, për shumë faktorë, kryesisht të jashtëm, kasta aktuale drejtuese e ka më të vështirë të qeverisë me format tradicionale të krimit, në aleancë me të. Ligji i dekriminalizimit dëshmoi pikërisht këtë fakt.

Nëse thënia e mësipërme do të kuptohej si një alarm kur devijime të shtetit sjellin për pasojë korrupsion dhe mafie, në rastin e dytë, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kthyer në instrumente të qeverisjes.

Personazhe si Kelmendi, Habilajt dhe shumë e shumë të tjerë me profilin e tyre, janë nënprodukt dhe njëkohësisht përgjigje e shoqërisë shqiptare ndaj një politike të tillë. Nëse ata u pasuruan, u fuqizuan, këtë e bënë vetëm për inerci të faktit se shërbyen si leva në lojërat e mëdha për pushtet. Kur, për arsye jo vendore, roli i tyre u komprometua, ata u braktisën në dorën e fatit. Por përsëri vazhduan të shërbejnë si rrufepritës, mbi të cilët shkarkohet gjithë përgjegjësia e së keqes, duke mbuluar njëkohësisht gjurmët e krimit shtetëror. Sa të tillë ka akoma?

Ekzaktësisht njëlloj si personazhet e mësipërm, as më mirë e as më keq, u veprua edhe me Policinë. Jo dhe aq për faj të saj, organizata e policisë nuk e ka mundësinë dhe as pjekurinë e duhur për të parë nga brenda realitetin për të mbrojtur djemtë e saj më të mirë e për rrjedhim, vetveten. Pas largimit arrogant të rreth tetëqind punonjësve të saj në vitin 2013, në kuadrin e lojës së madhe për pushtet, ajo u zëvendësua totalisht me një kastë të re drejtuese. Në banak u quajt “policia që duam” dhe nën banak u përdor për manovrat e mëpasme të mbajtjes me çdo çmim të pushtetit. Kanabizimi i vendit nuk ishte rrjedhojë e inkriminimit të 12 drejtorëve të qarqeve apo e disa të tjerëve. Ai ishte mjeti për të mbajtur pushtetin dhe levat për ta realizuar do të ishin grupet kriminale si sipërmarrës, kurse Policia si rojtare apo edhe bashkëpunëtore e tyre me në krye drejtorët. Një pjesë gjigande e popullsisë do të inkriminohej për t’u kthyer në një masë e shantazhueshme në luftën për pushtet. Dhe natyr- shëm, në drejtimin e Policisë do të vendosej një individ, i cili bëri vetëm një punë: në emër të gjithë Policisë, noterizoi plotësisht vullnetin, mjetet dhe manovrat e kastës politike për të mbajtur pushtetin.

Si përfundim, pushteti u fitua. Misioni përfundoi. Kasta drejtuese e Policisë u shtrydh, u shkarkua e tëra. Ndonjëri edhe në kërkim. Edhe kultivimi i kanabisit pësoi rënie drastike. Por loja për pushtet vazhdon. Qëllimi mbetet i njëjtë, aktorët po ashtu. Duhen gjetur metoda të reja. Tjetër fytyrë. Të ligjshme apo të paligjshme, pak rëndësi ka.

Tani, “konkurs” për gradat madhore dhe veting për gjithë Policinë.

Në shtratin politiko- social, në të cilin po zhvillohet vetingu në Polici, pa qenë nihilist, të luftosh korrupsionin dhe lidhjen me krimin brenda radhëve të saj, do të thotë të shkatërrosh sistemin e qeverisjes.

Dëshmia për këtë nuk është vetëm konteksti i mësipërm, por edhe vetë dokumenti në përmbajtje. Përsëri jemi brenda manovrave për pushtet. Projektligji nuk është i qëndrueshëm. Si i tillë, ai nuk i jep as garanci e as vazhdimësi institucionit të Policisë.

Sipas projektligjit vetingut në Polici, të prezantuar nga zv. ministri dhe të botuar ne media, që në nenin e tij të tretë parashikon që atij mund t’i nënshtrohen me dëshirë edhe ish- punonjës policie duke plotësuar disa kushte. Po në rast se shumë ish- punonjës policie, të përjashtuar brutalisht, i nënshtrohen vetingut dhe shumë prej tyre dalin të pastër prej tij,( dhe ka shumë gjasa) çdo të ndodh me ta? Do ta marrin vendimin e komisionit si dëshmi për të hyrë në parajsë kur Zoti t’i thërrasë pranë vetes? Ligji për Policinë e Shtetit ka treguar shumë zell për të mbyllur çdo mundësi të rikthimit të tyre. Ky nen, ose është tallje cinike për t’i hedhur hi syve publikut, ose pakujdesi alarmuese ne hartimin e ligjeve. Por mbi të gjitha, ai nuk siguron qëndrueshmëri për vitet që vijnë. Nuk ngjall besim.

Për vetingun në radhët e gradave të larta, ligji parashikon krijimin e një komisioni të quajtur “Komision i jashtëm i vlerësimit”. Në vazhdën e paradokseve të ligjit për vetingun në drejtësi, edhe sipas këtij ligji, komisioni i jashtëm duhet të jetë i distancuar nga ish- sigurimi i shtetit. Ndërkohë, shumë nga figurat madhore të Policisë aktuale që do të paraqiten para tij, janë ish- oficerë të sigurimit. Me fjalë të tjera, ligji e pranon ish- sigurimin si rrezik, por vetëm për komisionin vlerësues të jashtëm, jo për ish- oficerët e tij, aktualisht në poste drejtuese kyçe!!! Krahu tjetër politik dihet qartë se çfarë qëndrimi ka për këtë kategori. Garantohet qëndrueshmëria e institucionit në këto kushte për vitet që vijnë?

Komisioni i jashtëm i vlerësimit duhet të jetë i distancuar edhe nga politika. Shumë të quajtur militantë të opozitës aktuale janë të përjashtuar nga Policia për këtë problem. Po ish- komisionerët e qendrave të votimit, ishkandidatët për deputet të rikthyer në radhët e Policisë së sotme? Edhe ky kriter, në formën si paraqitet nuk garanton qëndrueshmëri për vitet që vijnë.

Të kenë qenë dakord ICITAP dhe PAMECA me këto zgjidhje?

Në se reformat në organet e sigurisë apo edhe të drejtësisë, do të vazhdojnë të tilla që institucionet t’i shërbejnë luftës për pushtet dhe jo publikut të gjerë, Shqipëria do të rrezikojë e të kthehet në një vend ku historia e saj do të gërshetohet me historinë e krimit të lidhur ngushtë me oligarkinë sunduese në shkallë të tillë saqë zhvillimi i njërës të mos kuptohet pa zhvillimin e tjetrës.

Në se reformat në organet e sigurisë apo edhe të drejtësisë, do të vazhdojnë të tilla që institucionet t’i shërbejnë luftës për pushtet dhe jo publikut të gjerë, Shqipëria do të rrezikojë e të kthehet në një vend ku historia e saj do të gërshetohet me historinë e krimit të lidhur ngushtë me oligarkinë sunduese në shkallë të tillë saqë zhvillimi i njërës të mos kuptohet pa zhvillimin e tjetrës

Zv. ministri i Brendshëm, Julian Hodaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.