Drejtësi, Drejtësi dhe vetëm Drejtësi!

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Një shprehje e vjetër lat ine thotë : “Bota le të përmbyset, Drejtësia të triumfojë “. Është një apostulat që, drejtësinë dhe...

zbatimin e saj në mënyrë korrekte nga organet përkatëse, i rendit në vlerat më të larta njerëzore për të gjitha kohët nga cilido shtet qoftë Ai, të kësaj Bote.

Pa dyshim që, ky apostulat nuk përjashton vendin tonë, Shqipërinë. Por, për fat të keq, drejtësia në vendin tonë është mjaft larg këtij parimi themelor. Organet që merren me realizimin e kësaj porosie janë : gjykata, e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kodeve të Procedurës penale, civile dhe administrative “është organi që realizon dhënien e drejtësisë “dhe, prokurori, i cili po në bazë të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës penale, nenit 24 të tij, “ushtron ndjekjen penale dha përfaqëson akuzën para gjykatës”. Këto dy organe kanë për detyrë respektimin e përpiktë, të njëllojtë e të barabartë për të gjithë shtetasit, të Kushtetutës si dhe të anës ligjore që burojnë prej saj.

Mirëpo, duke iu referuar punës konkrete të këtyre dy organeve, mossigurimi i drejtësisë jo vetëm që është i dukshëm dhe evident, por edhe ka sjellë si pasojë që, nga njëra anë, autorëve të konsumimit të veprave penale t’iu rritë besimin në mosdënimin e tyre penalisht, kurse nga ana tjetër, t’iu rritë oreksin për të kryer një ose disa vepra penale. Një gjendje e tillë, jo vetëm që shkatërron drejtësinë, por nga ana tjetër krijon pasiguri te njerëzit për funksionimin e drejtësisë si dhe jetës, pronës e të të drejtave të tjera të tyre.

Kalimi apo kapërcimi i kësaj situate tragjike, që mbështjell brenda vetes së saj si kryefjalë padrejtësinë, këto kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e Parlamentit shqiptar e organizmave të tjera të vendit tonë, të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, të cilët duhen falënderuar maksimalisht. Mekanizmi i vetëm i Rivendosjes së drejtësisë, Vetingu, natyrisht nëse do të arrihet funksionimi i tij deri në fund, është mjeti më efikas dhe i bindshëm se Drejtësia në vendin tonë, do të rivendoset. Nëse Vetingu nuk shkon deri në fund, do të humbasë vlerën dhe besimin ndaj tij, të njerëzve të thjeshtë dhe hallexhinj. Për rrjedhojë, fjalët duhet me doemos të kthehen në vepra.

Duhet thënë dhe pranuar ndërkohë se, Mekanizmi i vetingut, veç vështirësisë që do të paraqesë aplikimi i tij, kërkon një vullnet të çeliktë nga organizmi zbatues i tij. Nëse gjërat do t’i trajtojmë me seriozitetin e duhur, në mënyrë të hapur dhe me transparencë, nisur nga gjendja e rëndë aktuale dhe përzierja e shumanshme në korrupsion, në veçanti nga personat me pushtet politik, ekonomik etj., si ata që janë aktual- isht, ashtu dhe ata të mëparshmit, dikton nevojën e garancisë absolute në zbatimin e Vetingut. Pa prezencën e hapur ose jo të hapur të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, zbatimi i Vetingut do të jetë i vështirë për shkaqe objektive dhe subjektive, për të mos thënë i parealizueshëm. Është keqardhëse kjo, por ndërkohë është një realitet i pakundërshtueshëm. Korrupsioni, si në Gjykatë ashtu dhe në Prokurori është futur thellë, për rrjedhojë ai është “Bunkerizuar”. Mania për t’u pasuruar jo në rrugën e Ligjit dhe Zotit, por të paudhit, shejtanit, të dreqit, preket me dorë. Veçse, për më tepër, duhet thënë se në këto rrethana, për një pjesë të personave që formojnë organizmin e Vetingut, nuk mund të fusim duart në zjarr për ndershmërinë e tyre. Prandaj, roli dhe funksioni i faktorit ndërkombëtar është deçiziv. Pa ata, nuk ka Reformë në Drejtësi !. E hidhur kjo, por absolutisht e vërtetë !. Qofsha i gabuar, por jo naiv. Qenia në profesionin e juristit me dekada të tëra e në funksione të rëndësishme, më ka dhënë mundësinë ta njoh më mirë realitetin. Aq më tepër që, Shqipëria është një vend i vogël si në popullatë ashtu dhe në territor dhe mundësia e lidhjes së gjakut dhe miqësisë midis njerëzve që zbatojnë vetingun dhe të atyre që janë vendosur ose do të vendosen para tij, ka ndikim jo të mirë, por negativ në drejtim të efektivitetit. Për më tepër që, në rrethanat e krijuara masive të ekzistencës së veprimit të korrupsionit, domosdoshmërisht diktohet që lufta për çrrënjosjen e tij, të jetë “me degë dhe me rrënjë”. Këto e faktorë të tjerë si këto, kërkojnë garanci të sigurt për zbatimin e vetingut. Ndaj, kujdesi dhe detyra e ndërkombëtarëve është parësore, është e domosdoshme.

Në anën tjetër, duhet thënë se në kushte të tilla përbërëse të dy organeve të Gjykatës si dhe të Prokurorisë, nuk krijon siguri dhe garanci në dhënien e drejtësisë dhe zbulimit të së vërtetës. Nga njëra anë, mungon ndershmëria profesionale qoftë e gjyqtarit apo të prokurorit, kurse nga ana tjetër mungon aftësia profesionale për të zbuluar të vërtetën dhe garantuar zbulimin e saj. Evidentime të rasteve të tilla që, për një çështje Gjykata të japë vendim pafajësie ndaj personit të marrë të pandehur, duke e çliruar atë nga akuzat në ngarkim të tij dhe po nga ana e Gjykatës ndaj këtij personi të pandehur, të prishë vendimin e mëparshëm dhe ta deklarojë fajtor duke e dënuar maksimalisht me burg, e vërteton më së miri këtë. Ky rast dhe rastet e tjera të hasura në gjykimin e çështjeve të ndryshme penale ose civile nga gjykatat, duhet të nxjerrin shkaqet e vërteta të ardhjes së tyre. Mjafton të përmendim faktin që, një pjesë jo e vogël e vendimeve të gjykatave shqiptare janë prishur nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, për mungesë të kryerjes së një procesi gjyqësor të rregullt ligjor dhe megjithatë, askush nuk mban përgjegjësi. Dëmi i faturohet shtetit !. Ndonëse mosmbajtja e përgjegjësisë u hodh si diskutim në konsultimet për Vetingun, për t’u pasur parasysh, duke marrë për referencë disa nga Gjykatat analoge në shtetet fqinje që,” në rastet kur një gjyqtari brenda një afati kohor prej dy vjetësh, i prishen tri vendime gjyqësore, ai lirohet nga detyra e gjyqtarit për të mos u kthyer kurrë më në funksionin e gjyqtarit “, kjo mbeti vetëm si ‘ kuriozitet’.

Apostulati i mësipërm nuk ka të bëjë vetëm me ndëshkimin e fajtorit, por dhe me shpalljen e tij të pafajshëm kur nuk është i tillë realisht. Këtë detyrë dhe garanci për qytetarin më tepër e ka Prokurori. Ai ka detyrimin ligjor që, jo vetëm të jetë i aftë profesionalisht për të përcaktuar drejt dhe me kompetencë ligjore rastin e marrë në shqyrtim, por dhe i ndershëm në trajtimin e atij rasti. Këto dy elemente thelbësore e të domosdoshme, që kanë karakter detyrues për prokurorin dhe sigurinë në zbulimin e së vërtetës, janë potenciale, si dhe garanci për zbulimin e së vërtetës nga njëra anë, kurse nga ana tjetër, për respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarit. Detyra e prokurorit është dhe duhet kuptuar fisnike. Nga ai, sidomos në momentet e para të procesit penal, varet siguria ose pasiguria e qytetarit në respektimin e garancive ligjore të tij, pasi është vetëm dhe vetëm prokurori ai që vendos ose jo ndjekjen penale të tij. Në këtë vështrim, prokurori duhet të jetë konsekuent në bindjen e tij, për të mos pranuar apo lejuar ndonjë ndërhyrje nga jashtë, kushdo qoftë Ai. Ndryshe, ai do të tregojë mungesë respekti ndaj kërkesave ligjore si dhe vetë personit të tij. Natyrisht, ai duhet t’i mirëpresë sugjerimet nga kushdo qoftë ai, por në çdo rast dhe gjithmonë duhet të udhëhiqet nga parimi që vendimin e merr ai dhe jo tjetërkush person. Një qëndrim i tillë është i respektueshëm dhe dinjitoz. Kjo duhet të jetë e të ndodhë jo vetëm në këtë fazë të hetimit, por edhe atëherë kur çështja i ka kaluar gjykatës për gjykim. Të mos ndodhë si në disa raste që, ndonëse hetimi gjyqësor vërteton faktin që personi i marrë i pandehur është i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij ose për një pjesë të këtyre akuzave, prokurori i përmbahet qëndrimit të tij të mëparshëm, duke mos iu përgjigjur rrethanave të reja ligjore. Është në nderin e tij dhe të organit që ai përfaqëson të shprehë bindjen e tij të bazuar në prova dhe në ligj para gjykatës. Ai, pavarësisht “cikloneve apo cunameve” që mund t’i drejtohen atij, duhet t’i përballojë ato, pasi jo vetëm që ka në mbrojtje të tij ligjin, por ka edhe Perëndinë. Do ta këshilloja që është më mirë të “dorëzojë çelësat”, sesa të japë një mendim në kundërshtim me bindjen e tij ! Është i njohur historikisht fakti që “rrufetë” më tepër bien mbi prokurorin se sa mbi Gjykatën. Megjithatë, Ai duhet t’i qëndrojë fort të vërtetës . Eppur si muove !.

Detyra, si e Gjykatës ashtu dhe ajo e prokurorit, është e bukur por dhe vërtetësisht aq delikte për një gjyqtar dhe prokuror të ndershëm. Prandaj, secili nga këta dy persona duhet domosdoshmërish të jetë i ndershëm dhe i aftë profesionalisht në realizimin e detyrës së vet. Qenia e këtyre dy elementeve, ndershmëria dhe aftësia profesionale janë në harmoni dhe në unitet të plotë midis tyre, mbasi mungesa e njërës, zhvlerëson tjetrën. Kjo do të ishte ndërkohë mbrojtja më e mirë dhe më e sigurt e tij. Në këtë mënyrë, ai do të respektonte rregullat ligjore të Drejtësisë si dhe dinjitetin e tij e të familjes para shtetit dhe shoqërisë sonë. Aktualisht, Shqipëria ka nevojë urgjente për Prokurorë dhe Gjyqtarë të tillë, për ta nxjerrë nga kjo situatë tragjike, në të cilën ka rënë Drejtësia. Vetingu duhet të sigurojë qenien e njerëzve të tillë, ndryshe do të kemi zgjidhje të pjesshme të çështjes.

Ka një thënie proverbiale : “Prokurori dhe Gjyqtari, edhe atëherë në momentin kur po varrosen dhe ndaj tyre shtrohet pyetja se : çfarë duhet bërë me të pandehurin kur ai është fajtor, përgjigja e tyre duhet të jetë : “Të zbatohet Ligji”!

Në cilindo shtet qoftë, bastioni i fundit i rënies së tij, pa dyshim është Drejtësia. Dhe kur bie ajo, shteti efektivisht ka rënë, është shkërmoqur, nuk përfaqëson më nevojën e krijimit dhe të qëndrimit të tij si rregullator i shoqërisë, jetës njerëzore, pronës, të drejtave qytetare, por mbisundon arbitrariteti dhe padrejtësia. Mbajtja e tij në këmbë qëndron me “inxheksione”. Shteti kalon në katastrofë, duam apo nuk duam Ne. Prandaj, Vetingu dhe Faktori Ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, janë shpëtimi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.