Pedagogët, ultimatum: Grevë nëse s’plotësoni kërkesat tona!

“Negociata me Kryeministrinë brenda dhjetë ditëve

Panorama (Albania) - - POLITIKE - BESARTA BASHA

Gjithë çfarë u tha në takimin e pedagogëve të Universitetit të Tiranës, është formalizuar me një deklaratë koncize me disa kërkesa, të cilat nëse nuk merren në konsideratë, do të çojnë drejt një greve të përgjithshme.

Forumi për Lirinë Akademike dhe Autonominë universitare i bën thirrje Kryeministrit, ministres së Arsimit dhe institucioneve të tjera, të “zhbllokojnë universitetin”. Në të kundërt, brenda dhjetë ditësh do të përshkallëzojnë reagimet e tyre. Ky është vendimi i prerë i më shumë se 123 akademikëve, nga pesë fakultete të Universitetit të Tiranës.

DEKLARATA

Në deklaratën e dytë brenda pak ditësh, Forumi për Liri Akademike i mëshon fort mosfunksionimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili, sipas tyre, ka çuar në bllokim institucional. “Vonesa e pagave të pedagogëve, edhe pse mjaft problematike dhe shqetësuese për mënyrën se si u trajtuan profesorati dhe personeli ndihmës i UT- së, nuk është shqetësimi themelor i UT- së; shqetësim themelor i UT- së është bllokimi total institucional i UT- së. Ky bllokim është pasojë e Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili krijon dy struktura paralele në UT, që pengojnë njëra- tjetrën, Bordin e Administrimit dhe administratorët nga njëra anë, rektorin dhe autoritetet e zgjedhura akademike nga ana tjetër”, citohet në deklaratë. Sipas pedagogëve, Bordi i Administrimit dhe administratorët priren të zgjerojnë autoritetin e tyre, duke bllokuar kështu qëllimisht funksionimin e pjesës akademike. E në rastin konkret, atë të pagave, ata dështuan në administrimin e financave. “Bordi i administrimit dhe administratori janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar pasi ata kanë dështuar në menaxhimin financiar të UT- së”. Por nga ana tjetër, edhe autoritetet më të larta akademike nuk janë pa faj. Ata kritikohen për mosre- agimin, mosushtrimin e autoritetit që u cakton ligji, si dhe për mosinformimin e pedagogëve për situatën e krijuar. Gishti i akuzës drejtohet edhe nga ministria, e cila nuk ka nxjerrë aktet e plota nënligjore të Arsimit të Lartë, duke shkaktuar kolaps në universitete.

VENDIMET

Nisur nga konkludimet e mësipërme, Forumi për Lirinë Akademike dhe Autonominë Universitare ka hartuar një listë me kërkesa, drejtuar institucioneve përgjegjëse. Së pari, kërkojnë nga Ministria e Arsimit shkarkimin e anëtarëve të emëruar prej saj në Bordin e Administrimit si dhe administratorin e UT- së, i cili ka vetëm disa muaj në këtë detyrë. Së dyti, të bëhen amendime në ligj ose të ndryshohen ato pika që janë problematike dhe kanë penguar mbarëvajtjen e punës në universitet. Së treti, kërkohet rritja e financimeve për UTnë, duke përmirësuar kushtet e studentëve e pedagogëve, referuar modeleve në rajon si Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Vendimi pasardhës është derivat i pikës së tretë. Kërkohet inicimi i një debati ndëruniver- sitar lidhur me standardet e mësimdhënies, kurrikulat, kushtet e studentëve, me qëllim forcimin e rolit të UT. Kërkesa e pestë ka të bëjë me më shumë transparencë për korpusin universitar në kushtet kur UT- ja dihet që ka mungesë në infrastrukturë. Për të adresuar të gjitha problematikat e mësipërme, në pikën e gjashtë kërkohet nisja e negociatave me Kryeministrinë, ministren e Arsimit dhe Komisionin Parlamentar të Medias. Tashmë është përcaktuar dhe përfaqësia, e cila do të ndërmjetësojë me autoritetet për gjetjen e zgjidhjeve. Pika e fundit paralajmëron për përshkallëzim të reagimeve në rast se kërkesat e lartpërmendura bien në vesh të shurdhër.

Forumi për Liri Akademike, në mbledhjen e datës 12 shkurt

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.