Sejko: Sistemi bankar i qëndrueshëm, kreditë e këqija ranë në 13,2%

Panorama (Albania) - - EKONOMI -

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi dje gjatë takimit me zv. drejtorin e përgjithshëm të FMN- së, Tao Zhang, se sistemi bankar karakterizohet nga tregues të qëndrueshëm financiarë. Guvernatori Sejko u ndal edhe te nxitja e kreditimit të shëndetshëm dhe reduktimi i kredive me probleme, raporti i të cilave në muajin dhjetor shënoi vlerën 13.2%. Guvernatori Sejko prezantoi paketën e deeuroizimit, si një iniciativë me mjaft rëndësi, e cila, nëpërmjet masave konkrete për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare, do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend. Guvernatori Sejko u shpreh se vëmendja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e fokusuar në objektivin e saj kryesor, ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë, nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj si autoritet monetar, ka kontribuar në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit. Gjatë takimit, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës makroekonomike, ku theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim. Pavarësisht progresit, autoritetet vendase mbeten të angazhuara të japin kontributin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, si dhe përshpejtimin dhe zgjerimin e reformave të ndërmarra deri tani, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Zv. drejtori i FMN- së, Zhang u shpreh se Shqipëria po bën përparim në drejtim të konvergjencës, megjithatë ai shtoi se, duke qenë se ekonomia globale po rritet me ritme pozitive, është koha e duhur për Shqipërinë të vazhdojë të ndërmarrë reforma të mëtejshme. Duke u ndalur në aktivitetin ekonomik të vendit, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i FMN- së theksoi se ruajtja e ritmit të reformave dhe forcimi i institucioneve dhe i mirëqeverisjes kanë rëndësi të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.