Si u shkon ndërmend!?

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - FATOS LUBONJA

Kur u prish stadiumi “Qe mal Stafa”, një pjesë e shoqërisë civile, që ishte kundër, ftoi arkitektin italian Leonardo Nardi për të folur për këtë çështje. Më kujtohet se kur u pyet se a do të mund...

të ndodhte kjo në Itali, në stadiumin e Firences, ( që është edhe ai i periudhës fashiste) dha një përgjigje shumë të shkurtër: “Te ne as do t’i shkonte ndërmend kujt të bënte një gjë të tillë.” Dhe stadiumi i Firences nuk është asgjë në krahasim me trashëgiminë e jashtëzakonshme të Firences.

Gjëja e parë që më vjen ndërmend kur dëgjoj ide si kjo e prishjes së teatrit, është pikërisht pyetja: “Si u shkon ndërmend?!”. Kjo pyetje, që me pikëçuditësen e saj habitore është shprehje e moshumbjes së aftësisë për t’u revoltuar ndaj autorëve të krimit, me pikëpyetjen e saj është edhe shprehje e nevojës për kuptim të njerëzve që e lejojnë këtë krim. E në këtë përpjekje për kuptim, për mua ishte e trishtueshme të dëgjoja edhe vetë aktorët e teatrit të formulonin idenë se ata duan aty një teatër të ri, veçse ndërtesë më vete, jo brenda një kulle. Argumenti qe se kjo na qenka një ndërtesë e rrënuar, e ndërtuar vetëm përkohësisht me mungesën e ngrohjes e ku di unë. E pra, kur dëgjon aktorët e teatrit ta trajtojnë ndërtesën ku ka filluar historia e teatrit shqiptar, ku një pjesë syresh kanë kaluar jetën, madje disa me dy breza, siç kanë trajtuar banorët e thjeshtë të Tiranës shtëpitë e tyre të vjetra, ku kanë lindur e janë rritur, mund të kuptosh edhe më mirë psenë e shkatërrimit të Tiranës historike. Mund të kuptosh se kjo nuk është thjesht çështje e një sociopati si Edi Rama dhe e disa sociopatëve të tjerë të babëzitur për para, por çështje e një zbrazësie kulturore e shpirtërore , pa të cilën sociopatë dhe injorantë të tillë nuk do të kishin pasur asnjë mundësi të lulëzonin dhe sundonin.

Në Itali, kohët e fundit kanë rënë disa tërmete, që kanë shkatërruat disa qytete dhe fshatra gati tërësisht. Ajo që të bije në sy, është se askujt prej banorëve apo ndërtuesve nuk u shkon ndërmend se në vend të këtyre ndërtesave të vjetra dy- tre katërshe, të ndërtojnë atje ndërtesa të larta, moderne, nga të cilat të gjithë do të nxirrnin fitim, duke fil- luar nga pronarët e ndërtesave të vjetra vetë. Fjala inkurajuese që dëgjohet nga të gjithë, me në krye politikanët që i vizitojnë, është se do ta rindërtojnë “Comme era, dove era” ( Ku ishte dhe siç ishte). Sepse përndryshe ata do të humbisnin diçka, që është vetë vetja e tyre sepse sot janë të gjithë të vetëdijshëm për vlerën e pazëvendësueshme kulturore e shpirtërore që kanë ato kisha e ndërtesa të vjetra. Prandaj, sa më shumë piqen e rriten në përvojë, aq më shumë njerëzit ruajnë memorien e tyre shpirtërore e materiale. Sipas kohëve, i kanë pajisur këto ndërtesa të vjetra historike me elektricitet, pastaj i kanë pajisur me ngrohje, por nuk i kanë rrënuar. Dhe kjo jo pse janë më të bukura se të rejat, por sepse bukuria e tyre më e madhe, vjen edhe nga historia e tyre më e hershme. Se të ruajtura të gjitha së bashku sipas kohës kur janë ndërtuar, shkruajnë kapitull më kapitull librin e historisë së tyre dhe garantojnë të ardhmen e tyre.

Se çfarë vlere ka kjo ruajtje e kujtesës, e tregon një episod nga jeta e piktorit të famshëm Marc Chagall. Ai ka lindur e ka kaluar fëmijërinë e rininë në qytetin Vitebsk, një qytet i bukur me kisha dhe sinagoga, që gjatë Luftës së II pësoi shumë shkatërrime dhe djegie, që nuk u ringritën siç kishin qenë nga komunistët. Kur Chagallit të ikur në Perëndim për shkak të diktaturës iu dha mundësia ( pas zbutjes) të shkojë të shohë Vitebskun, ai refuzoi sepse donte ta ruante në kujtesë ashtu siç e kishte lënë; se përndryshe nuk do të duronte dot dhimbjen.

Për të mbetur në Lindje, le të kujtojmë se gjatë Luftës së II, qendra historike e Varshavës u rrënua krejt. Por polakët nuk ndërtuan atje shpejt e shpejt ndërtesa të reja, por avash- avash mblodhën çdo gur dhe e rindërtuan qendrën historike të Varshavës, ashtu siç ishte dhe ku ishte.

E pra, pyetja që shtrohet është: Si ka mundësi që ne nuk e kemi këtë ndjeshmëri, këtë dhimbje për qytetin ku kemi lindur dhe jemi rritur? Si na shkon ndërmend të rrënojmë edhe mbetjet e fundit të Tiranës historike?

Kur dëgjon aktorët e teatrit ta trajtojnë ndërtesën ku ka filluar historia e teatrit shqiptar, ku një pjesë syresh kanë kaluar jetën, madje disa me dy breza, siç kanë trajtuar banorët e thjeshtë të Tiranës shtëpitë e tyre të vjetra, ku kanë lindur e janë rritur, mund të kuptosh edhe më mirë psenë e shkatërrimit të Tiranës historike. Mund të kuptosh se kjo nuk është thjesht çështje e një sociopati si Edi Rama dhe e disa sociopatëve të tjerë të babëzitur për para, por çështje e një zbrazësie kulturore e shpirtërore , pa të cilën sociopatë dhe injorantë të tillë nuk do të kishin pasur asnjë mundësi të lulëzonin dhe sundonin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.