Pedagogët: Refuzojmë shantazhet, grevë po s’u plotësuan kërkesat

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Pas takimit të Kryeministrit me anëtarët e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, ka reaguar Forumi për Liri Akademike dhe Autonominë Universitare. Në deklaratë thuhet se takimi i iniciuar nga vetë ata, nuk ishte në përgjigje të kërkesave të parashtruara publikisht. “Forumi mendon se ky takim nuk është në përgjigje të kërkesave që ne kemi paraqitur publikisht, pasi forumi nuk i ka kërkuar Kryeministrit që të marrë rolin e kryetarit të senatit apo të organeve të zgjedhura të UTsë. Forumi nuk ka pasur një kërkesë formale të ardhur nga Kryeministri, por edhe sikur të kishte pasur, një takim i tillë, pa axhendë të përcaktuar, do të ishte krejt i padobishëm.” Nisur nga kjo, Forumi për Liri Akademike fton qeverinë të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon në zgjidhjen e këtij ngërçi, duke pranuar negociata me profesoratin, në drejtim të zgjidhjes së problemeve. “Forumi nuk i ka kërkuar qeverisë që ‘ t’i heqë veshin burokracisë universitare’ dhe as shndërrimin e saj në palë për larjen e hesapeve mes klaneve të brendshme, por hapjen e një dialogu me profesoratin, studentët dhe shoqërinë shqiptare për marrjen e përgjegjësive, që i takojnë qeverisë dhe jo vetëm qeverisë, pra, për bashkëndarjen e përgjegjësisë për degradimin e gjendjes së arsimit të lartë në vend dhe mosfunksionimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Sipas përfaqësuesve të Forumit, arsimi i lartë në Shqipëri është në “pikë të hallit”, ndërsa përgjigja e Kryeministrit, sipas tyre, ishte shantazhuese e tallëse. “Ai tashmë është një dramë. Një dramë për ne profesoratin, për studentët dhe shoqërinë, një dramë që shpaloset sot para syve të kujtdo, me përjashtim të Kryeministrit dhe ministres. Një dramë, që nesër mund të shndërrohet në tragjedi për dijen dhe vendin. Forumi refuzon gjuhën shantazhuese dhe tallëse”. Pedagogët e Forumit për Lirinë akademike i kërkuan edhe një herë Kryeministrit të dialogojë, në të kundërt janë gati për të shkuar bashkë me studentët në grevë të përgjithshme. “Të shqetësuar më shumë se prej talljeve apo kërcënimeve, nga gjendja dramatike dhe problemet e mprehta të pazgjidhura që vazhdojnë të shtohen pafundësisht, shpreh vullnetin për dialog, të cilin përveçse publikisht, do ta adresojë edhe në mënyrë zyrtare. Grupi i negocimit, i zgjedhur nga pjesëmarrësit e forumit, pret me seriozitet një përgjigje. Forumi mbetet i palëkundur në vullnetin e tij, që në rast refuzimi, të bashkuar me studentët tanë, të shkojmë drejt një greve të përgjithshme”, përfundon deklarata e nënshkruar nga koordinatori i forumit, Mark Marku.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.