Si do ulin përdorimin e euros, masat e Bankës së Shqipërisë dhe efektet

Sejko: Nuk i kemi shpallur luftë euros, do të stimulojnë më shumë kreditimin dhe investimet në lekë

Panorama (Albania) - - EKONOMI -

Nuk i kemi shpallur luftë euros. Ne si Bankë Qendrore vlerësuam të marrim këto masa graduale në drejtim të përdorimit të monedhës vendase, duke qenë se studimet treguan se niveli i euroizimit ishte mbi 50 për qind, pra një nivel i lartë, kjo kufizon influencën e politikës monetare dhe përfaqëson një risk për stabilitetin financiar, të cilin ne duhet ta shmangim"

SYNIMI PSE PO MERREN MASAT

"Reforma financiare për stimulimin e monedhës kombëtare do të nisë me 3 masat, që në një pjesë janë edukative, për të sqaruar bizneset dhe individët për ekspozimin e riskut të kursit valutor dhe normës së interesit në monedhë të huaj. Njëkohësisht, për të orientuar bilancet e bankave, pasi efekti është neutral, atë që ne kemi rritur në përqindje në rezervën e detyrueshme në monedhë të huaj e kemi ulur në lekë. Ne do të shohim nëse gradualisht niveli i euroizimit do të ulet. Kur them, gradualisht, kjo do të thotë se do të kërkojë vite, pasi edhe integrimi europian do të kërkojë vite. Kur them vite, parashikoj që në harkun 3- 5 vjeçar të kemi një efekt. Ne nuk synojmë të shmangim euron dhe nuk i kemi shpallur luftë euros. Ne po shkojmë drejt Europës dhe sigurisht ne të gjithë dëshirojmë që një ditë monedha jonë, ashtu si e shumë shteteve europiane të jetë monedha euro. Natyrisht, do të duhet që ekonomia jonë të jetë e barasvlershme me ekonomitë më të zhvilluara të Bashkimit Europian, që kanë monedhën euro. Rekomandimi i Bashkimit Europian është që për ato shtete që pranohen, të paktën dy vjet pas pranimit të vazhdojnë të përdorin monedhën e tyre. Përdorimi i monedhës kombëtare është një avantazh i madh për ushtrimin e politikës monetare nga Banka Qendrore në stimulimin e ekonomisë vendase, të kreditimit dhe investimeve. Ky është qëllimi dhe synimi. Prandaj dhe ne si Bankë Qendrore vlerësuam të marrim këto masa graduale në drejtim të përdorimit të monedhës vendase, duke qenë se studimet treguan se niveli i euroizimit ishte mbi 50 për qind, pra, një nivel i lartë, kjo kufizon influencën e politikës monetare dhe përfaqëson një risk për stabilitetin financiar, të cilin ne duhet ta shmangim."

EFEKTET

"Ju e shprehni në euro, vetë studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar e ka shprehur në lekë. Kjo tregon se ne psikologjikisht jemi shumë të orientuar drejt euros, pasi studimi ka bërë një analizë, kryesisht për rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë, se sa humbet Banka e Shqipërisë në menaxhimin e rezervës së saj valutore, kundrejt euroizimit të ekonomisë shqiptare. Ka qenë një efekt rreth 6 miliardë lekë. Studimi i FMN- së është kryer në bashkëpunim me ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Ky është një studim specifik, që lidhet me rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë. Në nivel ekonomie, është e vështirë të përcaktosh humbjet që vijnë nga euroizimi. Ne kemi një regjim të lirë këmbimi dhe nuk e llogarisim dot. Por është e sigurt që stabiliteti financiar do të prekej nëse do të kishim zhvlerësim të monedhës kombëtare. Në Shqipëri, historia ka treguar dy momente të goditjeve të sistemit financiar nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, në vitin 1997 dhe në momentin e krizës globale financiare të vitit 2008. Shifrat kanë treguar se pjesa më e madhe e kredisë së keqe, që shkoi deri në nivelin 25 për qind ishte kryesisht nga klientët që kishin marrë kredi në euro dhe të ardhurat i kishin në monedhën vendase. Ne synojmë ta shmangim këtë ekspozim për ata klientë, që nuk janë të mbuluar dhe janë të ekspozuar nga risku i kursit të këmbimit në të ardhmen."

KUFIZIMI I TRANSAKSIONEVE

"Masat synojnë orientimin e përdorimit të monedhës vendase nëpërmjet bashkëpunimit me sistemin bankar. Niveli i lartë i euroizimit në ekonominë shqiptare vjen edhe pasi euro përdoret në disa transaksione të panevojshme, siç janë shitblerjet e apartamenteve apo makinave, kur të ardhurat janë në lekë në mënyrë të panevojshme përdoret euro. Kjo është një trashëgimi psikologjike që vjen nga e kaluara, pasi në raste të tilla nuk ka pse të përdoret euro, por leku. Për momentin, nuk kemi gjykuar dhe nuk kemi vendosur për të mos pasur efekte më të thella, për ta monitoruar tregun dhe për të parë vazhdimësinë. Nuk e kemi bërë të detyrueshme kryerjen e pagesave në euro, por po e marrim në shqyrtim dhe po e shohim nëse do të jetë e nevojshme të aplikohet në të ardhmen. Aktualisht, vazhdon të jetë e lirë shitblerja, si në monedhën euro ashtu edhe në atë vendase. Natyrisht, në rast se do të shohim se niveli i euroizimit në ekonomi dhe në sistemin financiar do të vijë në rritje, pra, në planin afatgjatë do të kemi një ekspozim më të madh në euro, mund të jemi të detyruar të marrim dhe masa të tilla, që nuk do të krijonin asnjë problem, por thjesht shitblerja do të ishte në monedhën vendase. Më vonë do të shohim dhe do të shqyrtojmë nëse do të jetë e nevojshme."

KURSI I KËMBIMIT DHE DEPOZITAT NË VALUTË

"Psikologjikisht mund të ketë një interes më të madh të eksportuesve dhe importuesve, por edhe individëve që kanë të ardhurat në euro apo remitanca. Këto janë masa rregullatore dhe nuk prekin kursin e këmbimit, sepse ai caktohet nga regjimi i lirë. Kursi i këmbimit mund të vlerësohet apo zhvlerësohet nga kërkesa dhe oferta. Pra, këto masa nuk do të ndikojnë në kursin e këmbimit. Për depozituesit, si pasojë e politikës monetare të ndërmarra nga banka ndër vite, kemi pasur një qëndrueshmëri për t'u admiruar të monedhës kombëtare. Këto masa në afatgjatë stimulojnë rritjen e normave të interesit të depozitave në lekë. Por individët dhe biznesi janë të lirë. Shumica e depozitave sot është në euro, pavarësisht se përfitueshmëria në euro është më e ulët. Kjo vjen si pasojë e besimit të një monedhe më të fortë, të Bashkimit Europian dhe jo për shkak të përfitueshmërisë."

SHTRENJTIMI I KREDISË NË EURO

"Masa është graduale dhe varet nga bilancet e sistemit bankar. Në momentin e parë, për vetë bilancet e sistemit bankar nuk do të ketë efekt, pasi masa neutralizon, ajo çka rëndohet pak në euro, lirohet në lekë. Natyrisht, që në afatgjatë ne synojmë që kredia në lekë të jetë më e lirë sesa kredia në euro, por nuk gjykoj se nëpërmjet këtyre masave do të ketë një impakt të shpejtë. Në një shtrirje kohore mund të ketë një ndikim, siç thoni ju për një shtrenjtim të kredisë në euro në raport me kredinë në lekë, por kjo nuk varet nga këto masa që janë graduale, por kryesisht nga norma e interesit të euros që caktohet nga Banka Qendrore Europiane. Pra, në rast se do të shtrenjtohej ose do të lirohej norma e interesit të euros, pasi norma e interesit të kredisë është euribor, plus marzhin që venë bankat dhe kjo varet nga norma bazë e interesit. Pra, në rast se Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të ndjekë politikën e saj lehtësuese, norma e interesit në euro do të vazhdojë të jetë e ulët."

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.