Gjykata lë në burg shoferin e kapur me 11 kg heroinë

Panorama (Albania) - - EKONOMI -

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi ditën e djeshme masën e sigurisë “arrest me burg”, për shoferin e kamionit që u kap në Portin e Durrësit, me 11 kilogramë heroinë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 11 shkurt, ku në Portin e Durrësit u ndalua një kamion, në të cilin u gjet droga. Bujar Shazivari, 63- vjeçari që drejtonte kamionin, doli dje para togave të zeza dhe nuk preferoi të deklaronte asgjë. Gjykata e la në burg, ndërsa hetimet për drogën vazhdojnë. Tashmë, ndaj 63- vjeçarit rëndon akuza e “trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve”, mbetur në tentativë. Prokuroria vijon hetimet për të gjetur burimin e drogës dhe destinacionin e saj. Kamioni po imbarkohej në traget për në Firence, në momentin që është gjetur droga në Portin e Durrësit. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative për ngarkesën. Droga u gjet në kabinën e kamionit MAN, me targë AA 943 OO, nën krevatin e shoferit, në një vend të fshehtë dhe të përshtatur. Policia përdori qenin antidrogë dhe fibroskop për gjetjen e pakove me heroinë.

Nga kontrolli i imtësishëm u gjetën 10 pako të mëdha dhe një pako e vogël, ku brenda tyre kishte heroinë. Kamioni me ngarkesë 15 koli me qese plastmase kishte destinacion Firencen. Njëkohësisht është shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët italianë, për të zhvilluar hetime të përbashkëta në lidhje me këtë rast.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.