Grabisin 2 kasaforta, i lënë në rrugë pasi s'gjetën lekë

Ngjarja në Mirditë, brenda tyre kishte aplikime për pasaporta

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Filiali i Postës në Mirditë ka rënë pre e grabitjes mëngjesin e së mërkurës.

Katër persona kanë mundur të futen në ambientet e saj, duke marrë dy kasaforta, me shpresën se në to do të gjendeshin para. Por pasi kanë arritur t'i marrin ato, i kanë braktisur diku në afërsi të Milotit pasi brenda tyre nuk kanë gjetur para, por veç disa aplikime të qytetarëve për pasaporta dhe pulla poste. Ka qenë ora 04: 00, kur sistemet e alarmit kanë njoftuar se është sulmuar për t'u grabitur Zyra Postare, që ndodhet në qendër të qytetit të Rrëshenit, vetëm pak metra larg komisariatit të këtij qyteti. Edhe pse kompania private që ruan këtë objekt dhe Policia ka mbërritur në një kohë mjaft të shpejtë, të paktën referuar deklarimeve të tyre, katër grabitësit kanë mundur të marrin dy kasaforta për t'i ngarkuar në automjetin e tyre. Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, rezulton se i gjithë operacioni i grabitësve ka zgjatur rreth 4- 5 minuta. Grabitësit, pasi kanë çorientuar kamerën e jashtme të sigurisë, janë ngjitur në mur dhe kanë ndryshuar fokusin e saj, duke e drejtuar pingul lart, me rrahje në një ballkon. Ndërkohë, duke përdorur mjete të forta, ata kanë mundur të hyjnë në ambientet e postës dhe prej aty kanë marrë dy kasaforta të lëvizshme. Nga burime të Policisë, konfirmohet se dëmi ekonomik ndaj postës ka qenë në nivel minimal, pasi brenda kasafortave nuk ka pasur sasi parash, por vetëm pulla postare, kuponë pasaportash dhe kartash identiteti për shkak se kjo zyrë postare ndodhet afër një banke e për rrjedhojë, shumat e parave ishin depozituar në të. Pikërisht për këtë arsye, grabitësit i kanë hedhur kasafortat në afërsi të Milotit, pasi kanë parë që nuk u vlenin dhe mund të identifikoheshin. Kasafortat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa Policia po vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe për të gjetur gjurmë të mundshme në to. Sipas të dhënave, që në momentin që janë marrë nga grabitësit, brenda kasafortave janë gjetur edhe kuponët e pasaportave dhe pullat që gjendeshin në to, Policia është njoftuar për dy kasafortat e braktisura afër Milotit dhe ka shkuar menjëherë në vend, nga ku konstatuar se bëhej fjalë pikërisht për kasafortat që ishin denoncuar si të vjedhura nga ana e punonjësve të zyrës postare.

Filiali i Postës së Rrëshenit

Kamera e kthyer lart nga autorët e grabitjes

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.