Vdes 21- vjeçarja, familja akuza mjekëve: Thanë grip

"Shkuam natën, nuk e mbajtën në spital, na çuan në shtëpi"

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - FIER/

Një 21- vjeçare gjeti vdekjen për shkaqe ende të paqarta në Spitalin e Fierit, ndërsa mjekët e kishin diagnostikuar fillimisht gjendjen e saj si gripale.

Familjarët e saj kanë akuzuar mjekët për neglizhencë dhe që nuk i janë përgjigjur siç duhet thirrjes së tyre për ndihmë. Mësohet se 21vjeçarja Xhuljeta Gjeka, nga fshati Mujalli i Fierit, u nda tragjikisht nga jeta mëngjesin e së hënës, në derën e Urgjencës së Spitalit të Fierit. Gjyshi i së ndjerës, Pilo Gjeka, pohon se kanë shkuar në urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore fillimisht mbrëmjen e të dielës. Pasi i kanë bërë një serum dhe kanë marrë një recetë me medikamente të grupit, ata e kanë dërguar sërish rreth orës 03: 00 të së hënës. Por mjekja e turnit, sipas tyre, nuk i ka kryer asnjë shërbim, madje iu ka bërtitur se pse e kishin çuar sërish për ndihmë pasi vajza kishte vetëm grip. Ndodhur në këto kushte, ata janë larguar sërish në banesë. Gjendja e 21- vjeçares është përkeqësuar akoma dhe më shumë dhe familjarët e kanë nisur sërish me urgjencë drejt spitalit, në mëngjes. Por, rreth orës 08: 00, Xhuljeta Gjeka ka ndërruar jetë në duart e gjyshit të saj, në derë të spitalit. Sipas gjyshit të 21vjeçares, britmave të tij në dyert e spitalit për ndihmë nuk u është përgjigjur askush.

"Herën e parë që e çuam në spital, në mbrëmjen e së hënës, i bënë një serum. Na dhanë recetë, mora ilaçet dhe erdha në shtëpi. Më thanë që është gjendje gripale. Kështu më thanë... E mbajtëm çupën me të ngrohta. Por u bë prapë keq. Në orën 3 të natës, vemi prapë në spital. Këtu ishte më e keqja. Prapë më thanë, ik se s'kemi ca t'i bëjmë. Vajza u bë keq dhe në orën 8 të mëngjesit e çojmë prapë drejt spitalit. Sapo vemi, çupa më ka vdekur te porta e spitalit sepse nuk doli një njeri të më sillte një barelë. Kam bërtitur, ' o maskarenj'... Ndoshta gabova, por më ra çupa nga duart. S'dija ç'të bëja", u shpreh gjyshi i vajzës, i cili e ka shoqëruar vetë mbesën në spital, bashkë me nënën e vajzës.

Ndërkohë, babai i së ndjerës, Altin Gjeka, shprehet se mjekët e kanë neglizhuar rastin e së bijës, çka shkaktoi edhe vdekjen tragjike të saj.

"Vajza ime ka ikur nga doktorët, nga neglizhenca e doktorëve. Nuk iu krye asgjë vajzës sime. Asnjë analizë e asnjë radiograme zemre. Iku se mjekët e lanë të ikte. Të hetohet rasti i sime bije deri në fund. Ne kërkojmë drejtësi", u shpreh mes lotësh babai i 21- vjeçares. Mësohet se mjekët ligjorë kanë kryer autopsinë dhe pritet që Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë të konkludojë në shkaqet që kanë çuar në vdekjen e 21- vjeçares Xhuljeta Gjeka. Ndërkohë, Prokuroria e Fierit ka tërhequr kartelën ku është përshkruar edhe trajtimi mjekësor, të cilit i është nënshtruar e ndjera, në repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit.

Familja Gjeka në fshatin Mujalli

Gjyshi i 21- vjeçares, Pilo Gjeka

Babai i viktimës, Altin Gjeka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.