Qeveria i kërkon firmën për kufirin detar, Meta vendos kushte

Kreu i Shtetit kërkon përfaqësim nga Presidenca, Ministria e Drejtësisë e SHISH në grupin negociator, konsulta me paraadhësit

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - JUXHIN MUSTAFARAJ

Ministria e Jashtme ka dorëzuar në Institucionin e Presidentit të Republikës kërkesën për dhënien e plotfuqishmërisë për zhvillimin e negociatave për një marrëveshje të re me Greqinë.

Vendimi për dorëzimin e kësaj kërkese nga Ministria e Jashtme erdhi tre ditë pasi Presidenca shprehu shqetësimin se në një kohë që mediat greke konfirmonin arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë, qeveria shqiptare nuk kishte kërkuar dhënie të plotfuqishmërisë. Burime nga Ministria e Jashtme konfirmojnë se kërkesa për plotfuqishmërinë e grupit negociator të Shqipërisë është dorëzuar mëngjesin e së hënës në Presidencë dhe për të është vënë në dijeni edhe Kryeministri Rama. Të njëjtat burime sqarojnë se kreut të Shtetit, Ilir Metës, i është kërkuar që negociatat me palën greke të bëhen nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Në grupin negociator me palën greke, Ministria e Jashtme ka propozuar të ketë edhe përfaqësues të Institutit të Gjeografisë.

PRESIDENTI Kreu i Shtetit Ilir Meta menjëherë pasi është njohur me kërkesën e Ministrisë së Jashtme për marrjen e plotfuqishmërisë ka nisur konsultat për të dalë me një vendimmarrje. Gjatë ditës së djeshme, Meta ka thirrur në një takim në Presidencë dy paraardhësit e tij, Bujar Nishani dhe Bamir Topi për t’u konsultuar lidhur me dhënien e plotfuqishmërisë, ndërkohë që sot në takime të veçanta do të presë në zyrën e tij ish- Presidentët Rexhep Meidani, Sali Berisha dhe Alfred Moisiu. Burime pranë Presidentit të Republikës konfirmojnë se pasi është njohur me shkresën e Ministrisë së Jashtme, kreu i Shtetit ka konstatuar një sërë problematikash, të cilat po i diskuton edhe me paraardhësit e tij. Të njëjtat burime konfirmojnë se në shkresën e dorëzuar në Presidencë, kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, ka informuar Metën lidhur me ecurinë e negociatave me palën greke dhe nevojën e dhënies së plotfuqishmërisë për një grup negociator të qeverisë për të konkretizuar marrëveshjen. Por, sipas burimeve, kreu i Shtetit ka parë si shqetësuese në kërkesën e ministrit Bushati faktin se në grupin negociator nuk janë përfshirë përfaqësues të Presidentit të Republikës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Një tjetër shqetësim për Presidentin mësohet se ka qenë mungesa e emrave të negociatorëve të qeverisë shqiptare. Burime nga Presidenca konfirmojnë se nga mënyra e hartimit të kërkesës për marrjen e plotfuqishmërisë nga qeveria shqiptare, nuk është respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rolin e Kreut të Shtetit në negociatat për kufirin detar me Greqinë. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 për rrëzimin e marrëveshjes së detit, Meta pritet t’i kërkojë Ministrisë së Jashtme të rishikojë rolin e Presidentit, duke i dhënë këtij të fundit jo vetëm përfaqësim në grupin negociator, por edhe fuqi vendimmarrëse përpara nënshkrimit të marrëveshjes. Përpara se të shprehet për kërkesën e qeverisë shqiptare për marrjen e plotfuqishmërisë për një grup negociator, Meta do të zhvillojë konsulta edhe me konstitucionalistë dhe njohës të së drejtës kushtetuese në vend.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.