Xhaxhai vari nipin në pemë, i ati në hetim: Gjithçka ishte shaka

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Fati Methasa shkaktoi lumë reagimesh në rrjetet sociale me foton e nipit të tij, duke marrë mbi 360 komente kritike për veprimin e tij. Ndërkohë, përveç marrjes në pyetje, Policia i ka sekuestruar xhaxhait të fëmijës 6 vjeç, telefonin celular si provë materiale. Mësohet se Policia ka nisur hetimet menjëherë pasi xhaxhai i fëmijës postori në rrjetin social “Facebook” foton e të miturit, të varur në një pemë. Pas këtij postimi pati edhe reagime të forta në rrjetet sociale, ku qytetarët dënonin aktin e xhaxhait të fëmijës

ELBASAN - Një ditë pas publikimit të fotove, ku një djalë i mitur keqtrajtohej në mënyrë mizore nga xhaxhai i tij, Policia e Elbasanit ka shoqëruar dy prindërit dhe xhaxhain e djalit 6 vjeç, për t'i marrë në pyetje. Ngjarja ka ndodhur në fshati Zdrajsh, Librazhd, ku mes të tjerash, Fati Methasa publikoi një foto në "Facebook" me fëmijën e varur në pemë. Pasi fotografia me të miturin që qëndronte i varur në pemë dhe komentin e xhaxhait të tij, se ky ishte një ndëshkim për sjelljen e tij, u publikuar në media dhe rrjetet sociale, Policia e Elbasanit u vu në lëvizje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. "Ja çfarë bën Babaloku, ato që bëjnë faj, Babaloku i dënon me varje", shkruan ai. Ndërsa shumë të tjerë e kritikojnë për veprimin e bërë, ai shton: "Xhaxhai e vari qenin se ia kishte sjellë në majë të hundës." Pas kësaj, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd shkuan në fshatin Zdrajsh, dhe shoqëruan në komisariat prindërit dhe vetë protagonistin e kësaj historie. Gjatë marrjes në pyetje, babai i fëmijës ka pohuar se djali nuk është dhunuar, por këtë veprim vëllai i tij e ka bërë para dy vjetësh në formë shakaje. Në momentin e kësaj deklarate, i pranishëm në komisariatin e Policisë, ka qenë dhe vetë xhaxhai, i cili po ashtu ka pohuar një version të tillë. Pavarësisht kësaj deklarate para oficerëve të Policisë, çështja do të mbetet në hetim për sqarimin e plotë të rrethanave. Ndërkohë, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Keqtrajtimi i të miturit".

Fëmija i varur në pemë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.