Panorama (Albania)

Agron Xhafaj: Pse vendosa t’iu dorëzohem autoritete­ve italiane që të vuaj dënimin

“Si rrjedhojë e këtij presioni politik dhe publik kundrejt familjes sime, marr guximin të përballem me ekzekutimi­n e vendimit”

-

Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, përmes një letre publike, ka lajmëruar se do të paraqitet vetë para autoritete­ve italiane për të vuajtur dënimin që Gjykata italiane ka dhënë për të. Vetëm disa orë para deklaratës publike që Kryeminist­ri Rama do të bënte në lidhje me qëndrimin e tij ndaj akuzave të opozitës në adresë të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj vendos të niset drejt Italisë për të kërkuar vuajtjen e vendimit të Gjykatës italiane. Në letrën e tij që u bë publike dje paradite për mediat, pasi ai kishte mbërritur në Itali, Agron Xhafaj shprehet se e ka marrë këtë vendim i detyruar nga presioni publik dhe politik që i është bërë vëllait të tij ministër. Ai shprehet se nuk ka pasur asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzekutuar këtë vendim, edhe se ai nuk ka qenë në kërkim për ekzekutimi­n e këtij vendimi. Duke e cilësuar vendimin e Gjykatës italiane shumë të rëndë, krahasuar me gabimin që ka bërë, Agron Xhafaj shprehet se në këto kushte. është më mirë që të dorëzohet vetë për ta kryer këtë dënim. Arsyet, sipas tij, që nuk e ka bërë më parë, kanë qenë familja dhe fëmijët, ndërsa shprehet se pas kthimit nga Italia është munduar të ndërtojë një jetë të re duke mos cenuar n në asnjë rast ligjet e shtetit.

LETRA PUBLIKE E AGRON XHAFAJT

Unë jam Agron Xhafaj. Për shkak të gjithë akuzave që janë ngritur ndaj meje gjatë ditëve të fundit, por edhe si vëllai i Fatmir Xhafaj, sot ministër i Brendshëm, ndihem i detyruar të bëj publike sa vijon:

Kam vendosur që t’iu drejtohem vetë autoritete­ve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje.

Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritete­t përkatëse.

Edhe pse nuk ka pasur asnjëherë ( nuk ka akoma edhe sot) asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzekutuar këtë vendim, edhe pse unë asnjëherë nuk kam qenë në kërkim për ekzekutimi­n e këtij vendimi, unë po e kryejë këtë akt.

Unë kam gabuar në rininë time. Si jo pak të tjerë. Aspak dhe për asnjë arsye nuk e justifikoj dhe nuk e përligj atë gabim. Edhe pse cilido që ka pasur mundësinë të shohë atë dosje penale dhe ka parë rrethanat e kryerjes së asaj vepre penale, e kupton shumë mirë shkallën e përfshirje­s dhe rolin tim në atë histori. Ka edhe një TË VËRTETË të madhe që dua ta bëj publike përkundrej­t shpifjeve që janë bërë vazhdimish­t për këtë çështje.

Unë jo vetëm që NUK I JAM SHMANGUR HETIMIT dhe GJYKIMIT tim në këtë çështje, por përkundraz­i, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të qenë prezent në Itali gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit tim. Janë të plota dhe të dokumentua­ra të gjitha përpjekjet e mia në këtë drejtim.

Ishin vetë autoritete­t italiane që më liruan pas një muaji ndalimi dhe urdhëruan largimin tim nga Italia. Për rreth një dekadë kam bërë disa kërkesa për t’u pajisur me vizë, pikërisht për të ndjekur pranë drejtësisë italiane çështjen time. Në të gjitha rastet, kjo kërkesë më është refuzuar.

Sot jam 43 vjeç dhe prej vitit 2002 e deri më sot, NUK KA ASNJË sjellje apo vepër time që të ketë qenë në kundërshti­m me ligjin dhe me moralin. Kam bërë të gjitha përpjekjet dhe jam krenar që sot e prej shumë kohësh ia kam dalë që të kem një jetë normale si gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Prej shumë kohësh, energjitë dhe vëmendja ime i janë kushtuar tërësisht familjes sime.

I detyrohem shumë bashkëshor­tes sime që më ka ndihmuar dhe mbështetur që të dy fëmijët tanë, djali dhe vajza, edhe pse akoma të vegjël, të shohin te ne dy prindër të përkushtua­r, që përkujdese­n me ndershmëri në mënyrën më të mirë të mundshme për ta.

Për hatër të tyre, për shkak të dashurisë për ta, për shkak të dëshirës sime për të qenë pranë tyre dhe për të gëzuar çdo ditë me ta dhe për ta, ( besoj e kuptueshme kjo për cilindo prind), kam gjithë këto vite që mbaj përbrenda meje këtë barrë. Edhe pse e dija shumë mirë që duhej të paguaja për çfarë kisha gabuar në rininë time. Pavarësish­t se ajo që më kërkon drejtësia të shpaguaj, është shumë më shumë se gabimi që kam kryer.

Sot, si rrjedhojë e këtij presioni politik dhe publik kundrejt familjes sime, në pamundësin­ë për t’iu ofruar fëmijëve një jetesë të qetë e pa stresin e përditshëm të shpifjeve e shantazhit, por edhe në bindjen time se ky është vendimi i duhur, marr guximin të kryej vetë këtë hap të rëndësishë­m dhe të përballem në rrugë ligjore me ekzekutimi­n e vendimit.

Njëkohësis­ht, pranë Prokuroris­ë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikua­ra nga ligji, përfshirë depozitimi­n e zërit tim pranë Prokuroris­ë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpuni­min e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës. Shpresoj që Prokuroria dhe Gjykata t’i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit të paskrupull­t ndaj meje e familjes sime. Agron Xhafaj Tiranë, më 16 maj 2018

 ??  ??
 ??  ?? Faksimile të vendimit të Gjykatës italiane për Agron Xhafajn
Faksimile të vendimit të Gjykatës italiane për Agron Xhafajn

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania