Rama i çon dekret të dytë për Lleshin, Meta: Amatorët të lexojnë Kushtetutën

Presidenti ngre pyetjen: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër, edhe kjo s’është e shprehur në Kushtetutë

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - ARISTIR LUMEZI

Presidenti i Republikës i cilësoi amatorë dhe diletantë të gjithë ata që i kanë treguar këto ditë kompetencat e tij kushtetuese në lidhje me dekretimin e ministrave.

Për herë të parë që prej mosdekretimit të Sandër Lleshit për ministër, kreu i shtetit foli vetë dje para gazetarëve, duke dalë nga një aktivitet i Prezencës së BE- së në Tiranë. I pyetur nëse ka kompetenca për të mos dekretuar Sandër Lleshin, Presidenti Meta kujtoi se akt formal dhe ceremonial për të është vetëm ai betimit të ministrave. “Sa i takon anës ligjore të mosdekretimit, pa dashur të jap leksione për Kushtetutën, të gjithë amatorëve dhe diletantëve të njëanshëm, i ftoj të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit. Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite se Presidenti nuk mund të kthejë prapa dekretin, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutë”, u shpreh Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës u shpreh i bindur se ka zbatuar Kushtetutën me përgjegjshmëri të plotë. “Më lini të bëj detyrën time, me përgjegjshmëri të plotë si gjithmonë”, tha Meta. I pyetur se a është i gatshëm t’i drejtohet Parlamentit për të dhënë arsyet që e çuan në mosdekretimin e Sandër Lleshit, Presidenti Meta tha se mund të shkojë në çdo moment. “Në çdo sekondë. Unë jam mjaft i lidhur me Parlamentin dhe jam i zgjedhur nga Parlamenti, kështu që Parlamenti për mua është gjithçka”, u shpreh Meta. Një javë më parë, Presidenti i Republikës nuk dekretoi Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm. “Presidenti i Republikës, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në mbështetje të Kushtetutës, nuk krijoi bindjen e plotë për t’i dhënë besimin e tij kandidaturës së zotit Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm. Në këto kushte, Presidenti i Republikës nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht propozimit tuaj për emërimin e zotit Sandër Lleshi në detyrën e ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen zyrtare që kreu i shtetit i dërgoi Kryeministrit Rama për kërkesën e tij për ministrin e ri të Brendshëm. Ky vendim i Presidentit Meta shkaktoi reagime duke filluar nga Kryeministri, por dhe deputetët socialistë. “Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretarë të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ishte një nga reagimet e Presidencës. Përmes zëdhënësit të tij, kreu i shtetit sqaroi gjithashtu se, “Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson si kryetar i shtetit, komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

PRESIDENTI META DHE KRYEMINISTRI RAMA

Meta, dje gjatë deklaratës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.