Rama i çon Metës dekretin e dytë për Sandër Lleshin

Relacioni shoqërues: Jemi në një fazë delikate të luftës kundër korrupsionit dhe në prag të zgjedhjeve

Panorama (Albania) - - POLITIKE - ARISTIR LUMEZI

Kryeministri Edi Rama i dërgoi dje Presidentit Meta kërkesën e dytë për dekretim të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.

Kreu i qeverisë informoi përmes një postimi në “Twitter”, se bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të ministrit të Brendshëm. “Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit, ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të ministrit të Brendshëm”, tha Rama. Në materialin prej dy faqesh, i cili është dhe relacioni shpjegues pse Sandër Lleshi duhet të dekretohet si ministër, Kryeministri kërkon nga Presidenti të marrë parasysh se vendi ka hyrë në një fazë delikate të luftës kundër korrupsionit, por dhe se po afrojnë zgjedhjet vendore dhe në krye të Ministrisë së Brendshme kërkohet një ministër i dekretuar. “Kryeministri i Shqipërisë me përgjegjësinë kushtetuese për plotësimin e funksionit të mbetur vakant të ministrit të Brendshëm, në një fazë delikate dhe të rëndësishme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në një moment të rëndësishëm për demokracinë e një vendi, siç është periudha përgatitore e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, i drejtohet Presidentit të Republikës për të propozuar Sandër Lleshaj për t’u emëruar në detyrën e Ministrit të Brendshëm”, thuhet në relacionin që shoqëron kërkesën për dekretim. Duke përdorur dhe deklaratat e Ambasadës Amerikane dhe të ambasadorit të BE- së Soreca, Rama i kujton Presidentit se kërkohet një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale. “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre për- pjekjeve e arritjen e rezultateve në sajë të një kontributi e bashkëpunimi institucional që janë thelbësore në këtë proces”, thuhet në relacionin që shoqëron kërkesën e Kryeministrit.

PRETENDIMET Dy ditë më parë, Kryeministri Rama tha se do t’i dërgojë një relacion Presidentit të Republikës me qëllim që ai të krijojë bindje për Sandër Lleshin. “Meqenëse Presidenti nuk kishte krijuar bindje, nesër unë do t’i dërgoj Presidentit dekretin ku përsëri do t’i propozoj dekretimin e gjeneral Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm me një relacion shpjegues, të mirargumentuar bazuar në procedurë dhe në traditën e krijuar nga Presidenti, për hir të së vërtetës, që me rastin e negociatave me Greqinë, për të arritur në marrëveshjen e plotfuqishme, ka çuar shkresa shumë serioze dhe shumë të detajuara që e kanë ndihmuar shumë procesin. Ne do t’i japim Presidentit mundësinë që të krijojë bindjen e plotë dhe të rifutemi në binarët e Kushtetutës. Ky precedent nuk ka pse të krijohet”, tha Rama. Kryeministri aludoi se nëse edhe kësaj radhe Presidenti nuk e dekreton, arsyet do të jenë politike. “Nuk ka një çështje themelore që ta refuzojë. Unë nuk kam arsye të dyshoj se Presidenti ka një axhendë të fshehtë, që Presidenti është në një lojë politike, që të fshehë një plan të një opozite të dëshpëruar, të pashpresë, që bojkoton Parlamentin, që refuzon të jetë pjesë e procesit etj., etj. Unë nuk kam arsye t’i besoj këto. Nëse këto nuk ekzistojnë, nuk ka arsye që Presidenti të mos dekretojë një person kaq të pastër saqë opozita nuk arriti t’i hedhë një saçme Sandër Lleshit”, tha Rama.

Rama e Lleshi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.