Apeli rrëzon Arta Markun, kthen në detyrë Ginën e Gashin

Vendimi: Shfuqizohen tërësisht si të paligjshme vendimet e Kryeprokurores, do paguajë edhe shpenzimet gjyqësore

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - ETLEVA DELIA ARTA MARKU

Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina kanë fituar betejën ligjore me Kryeprokuroren Arta Marku. Apeli Administrativ ka vendosur në favor të tyre, duke i kthyer ata në detyrë.

Urdhrat për pezullimin e tyre, pas shqyrtimit nga Apeli, kanë rezultuar jashtë kompetencave të Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku. Çifti i prokurorëve Gashi dhe Gina u pezulluan nga detyra në muajin maj të këtij viti, por dy ditë më parë Apeli ka rrëzuar urdhrat e pezullimit të lëshuar nga Kryeprokurorja e përkohshme Marku, duke rikthyer në punë të dy prokurorët e larguar. Relatori Amarildo Laçi vendosi pranimin e padisë, shfuqizimin e vendimeve Nr. 140 e 141, të datës 11.05.2018, të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, për pezullimin nga detyra të prokurorëve Rovena Gashi e Dritan Gina. Në vendim thuhet edhe se shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur, pra, Kryeprokurores Arta Marku. “Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs përpara Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, brenda 30 ditëve, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi të arsyetuar. Data e shpalljes, 08.11.2018”, thuhet në vendim. VENDIMI I APELIT

“Shfuqizimin tërësisht si të paligjshëm të vendimit me Nr. 140, datë 11.05.2018, të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, për pezullimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi, në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal me Nr. 577/ 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Shfuqizimin tërësisht si të paligjshëm të vendimit me Nr. 141, datë 11.05.2018, të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, për pezullimin nga detyra të prokurorit Dritan Gina, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, deri në përfundim të hetimeve ose të procedimit penal me Nr. 577/ 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Pezullimin e zbatimit të vendimit me Nr. 140, datë 11.05.2018 dhe vendimit me nr. 141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, deri në përfundim të shqyrtimit, me vendim të formës së prerë, të ankimit të bërë nga ana e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina ndaj këtyre urdhrave të paligjshëm”, thuhet në vendimin e shpallur ditën e enjte nga Gjykata e Apelit Administrativ, me relator gjyqtarin Amarildo Laçi.

Rovena Gashi

Dritan Gina

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.