Ahmeti: Duke shkruar do lehtësojmë shpirtrat e lodhur

“Do ta quaja një libër politik, pasi kemi një individ- produkt të kaosit që jetojmë”

Panorama (Albania) - - KULTURE -

“Bëra çmos të mos futesha në hullinë njerëzore të historive, por më pas u ngushëllova se, së paku, ky rrëfim do të qe diçka më vete. Megjithëse them rrëfim, ngjarja degradoi vërtet në një antirrëfim, në një subjekt antihistorik. Por, edhe pse antihistorik, nuk mund të mos qe i irrituar, d. m. th. histerik, dhe tani vij në përfundimin se gjithë histeria njerëzore nuk është veçse një thirrje e pandërgjegjshme e psikikës për të shpëtuar nga historia”.

Një vepër e Mimoza Ahmetit nuk do të kuptohej ndryshe përveçse e ndërtuar sipas mënyrës së saj, të mos ngjajë me asnjë dhe asgjë. I tillë është edhe “Tutori”, romani më i ri i autores, botim i “MAPO Editions”, promovuar dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Një roman i paraprirë nga një parathënie e shkruar nga prof. Aurel Plasari, i cili, ashtu si edhe vetë autorja në radhët e para të romanit të saj, ndalet në vetëdijen e autores për krijimin e një antiromani përmes një antirrëfimi, antihistorik. “Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores. Për ta shpënë në skaj këtë anti- rrëfim, edhe në këtë roman të ri Mimoza Ahmeti as që ka marrë mundimin të lypë ndihmë nga paralajmërimi tanimë tinëzar “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit”, shkruan Plasari. “Parathënia e Aurel Plasarit e bën më pikant këtë botim. Në brezin tonë, Mimoza Ahmeti ka pasur një impakt kulturor dhe letrar për sa i përket formimit. Kur isha student në gazetari në vitet ’ 90 bashkë me një student tjetër, shpesh shkonim dhe takonim Mozën, bisedonim me orë të tëra për letërsinë, shoqërinë dhe atë që ndodhte rreth e rrotull. Më pas, gjatë punës sime si gazetar, në disa raste e kam takuar. Është një kënaqësi shumë e veçantë për mua, pasi Moza Ahmeti është një shënjues në formimin e shijes estetike, mbi konceptet e letërsisë dhe artit. Ajo vazhdon të na befasojë”, u shpreh Henri Çili. “Në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm. Në raportin e saj mes dy burrave, të dashurit imagjinar dhe atij real, ajo zbulon një nga një, një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore. Nga ana tjetër, do ta quaja dhe një libër politik, pasi në thelb kemi një individ- produkt të këtij kaosi social e politik që jetojmë”, u shpreh Alda Bardhyli. Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është një poete e lindur, është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret. “Mimoza Ah- meti është polivalente dhe nganjëherë qortimi bën vlerë më shumë sesa lëvdata. Poezia e saj do të mbahet mend në mozaikun e letërsisë shqipe”, u shpreh Aliçka. Vetë autorja e romanit ‘ Tutori’, Mimoza Ahmeti, u shpreh se ky libër fillon në vitin ’ 94 dhe mbaron në vitin 2017 dhe mbetet një çlirim shpirtëror, sepse kontekstet kuptimore, duam apo s’duam ne, rëndojnë mbi shpirtin e njeriut. “Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione. Ky libër, ky roman është e tëra perceptive, ku elementet e fiksionit, koshienca aty nuk dallon dot midis personazheve të kulturës, personazheve të jetës, personazheve të dëshirës, pra është një miks i virtualitetit ku jeton truri dhe e ka të vështirë që në realitet të bëjë dallimin e reales nga jorealja. Atëherë them që ajo poetika e këtij libri do t’i japë jetëgjatësi këtij romani dhe besoj që ajo çka e sintetizon, është subjekti. Romanet tona janë romane të cilat horizontojnë sistemin dhe shkojnë krah për krah tij me disa diskurse të vogla subjektive. Kemi një tranzicion që s’po merr fund në vendin tonë, ka lënë pasoja të rënda në shpirtrat tanë, të cilat duke shkruar dhe duke reflektuar, them që ne do t’i lehtësojmë dhe do të bashkohemi në atë pikë që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme”, tha Ahmeti.

Dje, gjatë promovimit të romanit të shkrimtares Mimoza Ahmeti

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.