“Për një Europë më të bashkuar”, Meta takon Presidentin Macron

TAKIMI I DY PRESIDENTEVE DJE NE PARIS

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Nga kjo e premte, kreu i shtetit ka në tryezën e tij kërkesën e dytë të Kryeministrit Rama për të dekretuar Lleshin në detyrën e ministrit të Brendshëm, kandidaturë për të cilën një javë më parë Meta deklaroi se nuk i krijoi bindjen për ta dekretuar. Deklaratat e ambasadës së SHBA- ve dhe BE- së, por edhe eurodeputetit, Knut Fleckenstein për një Ministri të Brendshme funksionale, duket se kanë sjellë një klimë më pozitive në komunikimin institucional të Presidencës dhe Kryeministrisë. Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, sqaroi dje se për këtë kërkesë të dytë të kreut të qeverisë, Meta do të konsultohet edhe me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. "Pas mbërritjes së propozimit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve, për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim. Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve ( Kryeministri, Presidenti, Kuvendi)", sqaron institucioni i Presidencës. Zëdhënësi i Metës garanton se Presidenti është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare, ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.

REAGIMI Kreu i qeverisë Edi Rama e sheh pozitive kërkesën e Presidentit Meta për të marrë përgjigje të qarta në lidhje me kandidaturën e Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm, përpara se të shprehet me dekret. Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, i kujtoi kreut të shtetit se herën e parë nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri për emrin e Sandër Lleshit.

Kreu i shtetit Ilir Meta është takuar me Presidentin francez, Emmanuel Macron. Meta ka nisur prej ditës së shtunë një vizitë zyrtare në Francë, me ftesë të homologut francez ku do të marrë pjesë në Ceremoninë e 100- vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore dhe në Forumin e Parisit për Paqen në Francë. Në një foto të shpërndarë në rrjetet sociale, Presidenti Meta u shpreh i lumtur për takimin me homologun francez dhe vlerësoi rolin e Macron për një Europë të bashkuar. "Shumë i lumtur të takoj Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të shpreh vlerësimet për marrëdhëniet tradicionale dhe të shkëlqyera mes dy vendeve dhe rëndësinë e dinamizmit të tyre, e njëkohësisht rolin e tij për një Europë më të fortë e më të bashkuar", shprehet në mesazhin e tij Presidenti Meta. Në Forumin që po zhvillohet në Francë, janë të pranishëm shumë kryetarë shtetesh e qeverie, zyrtarë të lartë të organizatave botërore dhe personalitete të politikës. Gjatë ditës së djeshme, Presidenti francez Emmanuel Macron u takua edhe me Presidentin e SHBAve, Donald Trump. Vetëm në përfundim të kësaj vizite zyrtare që do të zhvillojë në Francë, Meta do të shprehet nëse do të dekretojë apo jo Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm. Fuga garanton se ditën e hënë Presidenti do të ketë në zyrën e tij përgjigjen për të gjitha pyetjet e dërguara shkresërisht. "Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar "përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese, ndaj të gjitha çështjeve", që sipas tij, Presidenti i Republikës, "nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bash- këpunim", siç shprehet Presidenti përmes zëdhënësit, lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm. Duke nënvizuar se "herën e parë", Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qenë Kryeministri që i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si ministër i Bren- dshëm, Kryeministri Edi Rama e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht", sqaron Kryeministria. Përmes drejtorit të tij të komunikimit, Rama garanton Metën se bashkë me përgjigjet që do të marrë për emrin e Sandër Lleshit do të ketë edhe një zgjidhje shteruese që s'do të lërë vend për asnjë interpretim tjetër. "Jo vetëm kaq, po në funksion të adresimit shterues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në formë pyetësori drejtuar ministres së Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lërë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë", thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.