Panorama Sport (Albania)

Kampionati "i çudirave", të pranosh edhe grushtet për... elitën

-

Që një ekip të detyrohet të largohet nga një stadium me furgonin që hyn në mes të fushës për të marrë lojtarët, kjo është më shumë se e mjerueshme. Dhe të mendosh se bëhet fjalë për një ndeshje normale kampionati ku një ekip synon Superioren, ndërsa tjetri vetëm respekton garën pasi nuk ka asnjë objektiv. Shënkolli-Kamza ishte supersfida e javës së 25-të. Por, një takim që i kaloi kornizat e një loje normale dhe futbolli të pranueshëm. Lojtarët miq u sulmuan nga tifozët vendës në fund të takimit, në një kohë që u desh që mikrobusi i skuadrës të hynte në fushë për të nxjerrë ekipin nga Shënkolli. Dhe më pas akuzat e presidenti­t Naim Qarri se u godit nga homologët e tij, ai i Shënkollit, Artan Djala dhe i Besëlidhje­s, Gjok Noka. Përtej asaj çfarë është luajtur në fushë, është luks që në kushte të tilla të diskutohet dhe flasësh për futboll. Nëse akuzat e Qarrit vërtetohen, atëherë situata është e mjerueshme. Një kampionat ku nuk ia vlen të rrezikohet jeta, për më tepër që shpenzimet asnjëherë nuk arrijnë të justifikoh­en. Një futboll nën nivelin mesatar që merr më shumë rëndësi sa herë ka ngjarje të tilla ku përfshihen edhe drejtorë policie apo kryetarë bashkish. Në fushë gjithçka përfundon në barazim pa gola. Ndërsa, Besëlidhja që ka një lidhje "dashurie" me Shënkollin, fiton në Burrel 1-0 dhe tashmë është me pikë të barabarta me Kamzën. Në Grupin B është e kundërta. Nuk ka tension, përplasje apo akuza. Lushnja dhe Bylis e gjejnë autostradë në transferta­t ndaj Shkumbinit dhe Tomorit. Edhe pse ekipet kundërshta­re shënojnë të parat, më pas historia është e ditur me lushnjarët e ballshiotë­t që "djersijnë" shumë për të përmbysur rezultatin. Sipas të gjitha gjasave, në të dyja grupet duket se do të shkohet deri në ndeshjen e fundit finale ku ekipet do të përballen me njëra-tjetrën për të nxjerrë atë që do të luajë në elitë sezonin e ardhshëm. Gara është e hapur dhe aleancat janë krijuar. Megjithatë, në të tilla kushte finalet mbeten zgjidhjet më të drejta. Në grupet e mbijetesës, gara është më e ashpër dhe e fortë. Në Grupin A, Besa është mundur në Fushë-Krujë nga Iliria me një gol në minutat e fundit. Kavajasit kanë kontestuar fort gjykimin e asaj përballjej­e, në një kohë që lojtarët sulmuan arbitrin kryesor në fund të ndeshjes. Tërbuni hedh një hap shumë të rëndësishë­m drejt mbijetesës pasi fiton në fushën e vet 1-0 ndaj Kastriotit. Në këtë mënyrë, pukjanët lënë vendin e fundit dhe shpresojnë shumë që t'i shpëtojnë rënies. Në Grupin B, duket se Sopoti po luan edhe jashtë fushe. Dhe librazhdas­it kanë gjetur një taktikë të veçantë për ta bërë këtë. Pasi ekipi bojkotoi stërvitjen për një javë dhe klubi në faqen e vet zyrtare lajmëroi se do të bojkotonin garën, në minutat e fundit vendos të zbresë në fushë në sfidën me Turbinën. Dhe për më tepër fiton 1-0 duke rikthyer edhe një herë besimin për t'i shpëtuar rënies. Në përballjen tjetër, Elbasani ka harruar të fitojë. Në sfidën që mund të vendosë shumë për të gjithë sezonin, verdheblut­ë nuk shkojnë më shumë se një barazim 2-2. Një takim ku udhëhiqnin deri në minutat e fundit. Me fierakët thuajse të shpëtuar, në tri javët e mbetura, Dinamo, Elbasani, Sopoti dhe Turbina do të duhet të luftojnë fort për të mbijetuar. Besar Bozgo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania