Panorama Sport (Albania)

Shkodra gdhihet e lehtësuar

-

E diela i ka gjetur shkodranët më të lehtësuar se kurrë nga një barrë e rëndë që kanë mbajtur gjithë javës. Frika për një rënie të Vllaznisë kishte pushtuar qytetin dhe në Shkodër gjatë javës që lamë pas flitej vetëm për ndeshjen ndaj Tiranës në çdo ambient. Si rrallëherë, në lokale, ambiente familjar, institucio­ne apo vende të ndryshme pune, diskutimet kanë qenë të njëjta: a do të shpëtojë Vllaznia? Një ankth dhe siklet i madh kishte pushtuar 150 mijë banorë të Shkodrës, por jo vetëm ata që jetojnë dhe banojnë në këtë qytet. Kryefjala ka qenë Vllaznia, që nga një skuadër e cila besonte te vendi i katërt, befas rrezikoi rënien. Një javë e mbushur me thirrje e optimizëm nga specialist­ë e tifozë të shumtë, që lanë pas mëritë personale me klubin dhe iu bashkuan emrit të madh të Vllaznisë. Kjo, më mirë se gjithçka u pa në atë mbushje që iu bë stadiumit nga tifozëria shkodrane. Ata iu përgjigjen më së miri thirrjeve, jo të klubit apo të partive politike, por skuadrës: që të bashkohen rreth Vllaznisë. Por, nuk ishin vetëm ata 13 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin "Loro Boriçi" që po përjetonin një nga emocionet më të forta, por edhe mijëra e mijëra shkodranë që kanë ndjekur ndeshjen përmes televizion­it. Shkodra, jo vetëm në një 90-minutësh, por për një javë të plotë, ka përjetuar një situatë që prej të gjithëve shpresohen të mos kthehet më. Megjithatë, ankthi është kurorëzuar më së miri pas 6 minutave të shtesës, që disa u është dukur si 60, 600 apo edhe 6 muaj. Janë parë njerëz që lotonin nga gëzimi, hidheshin në krahët e njëri-tjetrit, paçka se nuk e njihnin fare. Vllaznia ka bashkuar edhe ata që ishin më kritikët e saj gjatë gjithë sezonit. Vllaznia i bashkoi të gjithë rreth vetes. Dje, të gjithë në Shkodër pak kanë diskutuar atë që ndodhi, por që tani ata kanë filluar që të mendojnë si duhet të dalin nga situata të tilla. Të gjithë në Shkodër tani apelojnë dhe kërkojnë që ky klub, ky emër, që është si fe, të gjejë pronarin dhe të ketë një të ardhme të sigurt, ashtu siç e meriton. Të gjithë tani dëshirojnë një Vllazni pretendent­e për titull dhe më së paku për të tentuar Kupën e Shqipërisë. Gjashtë vite pa qenë pjesë e Kupave të Europës duken si 60 vite në Shkodër. Admir Uruçi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania