Duro e thumbon për Europën, Starova: Ai rrëzoi Partizanin

“Bobi” replikon: Unë fitova titullin, ai i zbriti nga kategoria

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 -

Shpëtim Duro "skanon" Flamurtarin, por edhe ekipet shqiptare në Europë. Trajneri i kuqezinjve, në një deklaratë të dhënë për "Supersport", vlerëson Skënderbeun, Kukësin, si dhe Tiranën, por jo Partizanin. Ish-tekniku i të kuqve sulmon indirekt Sulejman Starovën, me të cilin dihet që marrëdhëniet nuk i ka aspak të mira. "Skënderbeun duhet ta falënderoj për atë paraqitje që na dhuroi gjatë periudhës së verës. Kukësin, edhe pse u eliminua, vetëm fati nuk e ndihmoi që të kalonte turin ndaj një kundërshtari shumë të vështirë si Sherif Tirapoli. Tirana nuk mund të bënte më shumë, sipas meje, me një skuadër si Makabi. E vetmja që stonoi ishte skuadra e Partizanit, me një kundërshtar jo të nivelit të tyre në Europë. Nuk bëri paraqitje të mirë, duke u eliminuar që në turin e parë, duke i humbur të dyja ndeshjet", u shpreh Duro për paraqitjen e shqiptareve në arenën europiane.

REVOLUCIONI

Gjatë fjalës së tij, trajneri u ndal edhe te merkato, ndërsa dihet që janë afruar 12 lojtarë. "Ka qenë një fazë përgatitore e gjatë, por e domosdoshme. Skuadra thuajse u bë nga e para, ndaj duhej kohë që futbollistët të njiheshin me njëri-tjetrin. Nuk është e lehtë që të ndërtosh një ekip nga fillimi, por unë e kam provuar edhe me skuadra të tjera dhe eksperienca ka qenë pozitive. Shpresoj që edhe me Flamurtarin të bëjmë një punë të mirë. Lojtarët e afruar kanë vlerë dhe unë i njoh, pasi i kam pasur në kohë të ndryshme

në ekipe të ndryshme. Janë lojtarë me nivel mesatar dhe unë pres që në ekip të kem elementë me karakter dhe profesionistë. Dhe mendoj se këto cilësi ata i kanë. Nuk mbështetem te lojtarë të veçantë, por te forca e grupit", theksoi numri një i kuqezinjve.

ADMINISTRATORI

Edhe pse Flamurtari lakohet shpesh për gjyqe, borxhe dhe heqje pikësh, Shpëtim Duro mendon se lojtarët e tij kanë detyrime ndaj administratorit. "Dua ta falënderoj zotin Idrizi për kompetencat e plota që më ka lënë dhe

gatishmërinë që ka treguar për ndërtimin e skuadrës. Jemi borxhli, ua kam thënë edhe futbollistëve, pasi ka qenë korrekt në të gjitha aspektet. Është një njeri që nuk të shqetëson dhe në gjithë këto vite ai e ka bërë punën e tij, por rezultatet e Flamurtarit nuk kanë qenë aty

ku duhet. Por ky nuk është faji i tij, pasi ai vetëm financon", evidentoi 57-vjeçari. OBJEKTIVI

Trajneri nuk ndien presion për objektivat, por e pranon që synimi është Europa. "Shpresoj që të kënaqim zotin Idrizi dhe tifozët, pasi ata meritojnë

shumë. Gjithsesi parashikoj një kampionat të vështirë. Drejtuesit duan një skuadër serioze, profesioniste dhe agresive, pavarësisht arritjeve që vijnë në fund. Shpresoj që ne t'ia dalim, ashtu si kam bërë me klube e tjera", përfundoi Duro.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.