Holandë-Francë, Roben: “Gjelat” nuk kanë Mesin...

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 -

Kapiteni i Holandës, Arjen Roben, i ka karikuar shokët e skuadrës që të mos i nënvlerësojnë aftësitë e tyre dhe të besojnë në potencialin për të mundur Francën sot dhe rikthyer shanset e tyre të kualifikimit në Botëror. "Tulipanët" renditen në vendin e tretë në Grupin A, tre pikë pas bashkëkryesuesve të Francës dhe Suedisë dhe një humbje e dytë ndaj skuadrës së Deshampit, mund t'i shuante përfundimisht shpresat e tyre për një vend në finalet e Botërorit të Rusisë verën e ardhshme. "Sigurisht që sa i përket cilësisë, Franca ka një skuadër shumë të mirë, por unë nuk dua të flas për ta. Ne nuk duhet të mendojmë se nuk jemi mjaftueshëm të fortë. Duhet të kemi besim në cilësitë tona dhe të besojmë se mund t'i mundim", tha Roben. "Unë jam gjithnjë optimist. Dakord, e pranojmë se do të jetë e vështirë, sepse Franca ka një skuadër më të mirë. Por nëse mendon kështu, atëherë më mirë qëndro në shtëpi dhe mos dil fare në fushë", shtoi asi i Bajernit. "Ne duhet të shkojmë në Paris me vetëbesim. Është pak a shumë si situata në Botërorin e 2014-ës. Nëse beson në diçka dhe ke urinë e nevojshme, atëherë mund të shkosh larg". Holanda e nënvlerësuar fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e fundit në Brazil, pavarësisht se u kritikua për ndryshimin e qasjes së saj taktike. Por ata dështuan që të kualifikoheshin në Europianin e 2016-ës dhe janë në një pozicion aspak komod në këto kualifikuese. Humbja në Sofje kundër Bullgarisë në mars, i kushtoi trajnerit Dani Blind stolin dhe në vend të tij u rikthye Dik Advokat. "Dua të shoh besim dhe jo frikë, ata nuk kanë tre Mesi në fushë", përfundoi 33-vjeçari.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.