Hënes: Draksler nuk vjen se “digjet” Myleri

"Nuk e blemë Nejmarin prej ndërmjetësve"

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - Përgatiti: ANTON LUMEZI

Presidenti i skuadrës së Bajernit, Uli Hënes, ka folur gjatë ditës së djeshme lidhur me transfertat marramendëse që pushtuan merkaton e verës si dhe mbi financat e klubit bavarez. Sipas tij, kampionët gjermanë edhe pse nuk kanë bërë blerje qindra miliona euro, janë të përgatitur për t'u përballur me skuadrat më të mira të Europës. "E shoh çështjen e transfertave marramendëse nga një këndvështrim ndryshe. Asnjë klub në botë nuk i ka aq para për të blerë këta lojtarë. Këto klube që kanë marrë pjesë në këto transferta qindra miliona euro nuk i kanë paratë e veta. Ndoshta i kanë marrë hua ose janë paratë e sponsorëve dhe pronarëve. Ne si Bajern, jemi tejet krenarë që kemi përdorur gjithnjë shuma të cilat vijnë nga të ardhurat e klubit. Efektet që kanë patur këto transferta nuk janë më si 10 vite më parë. Të jem i sinqertë, nuk do të doja kurrë të blija një lojtar, i cili kushton 100 milionë euro edhe nëse do t'i kisha ato para.

Për mua, asnjë lojtar në botë nuk vlen 100 milionë euro. Sa i përket Nejmarit në 2013-ën, e kuptuam shpejt sesa të vështira do të ishin negociatat dhe këtë gjë na e konfirmoi Barcelona më vonë. Ata duhet të bënin disa dredhi për ta blerë. Nuk po flasim për vlerën e tij që do i paguhej ekipit, por për shumë shuma të tjera parash që duheshin paguar në disa persona të tjerë. Një gjë të tillë ne nuk mundëm ta bënim. Prandaj dhe refuzuam kur Pep na e sugjeroi si emër.", tha presidenti Hënes. Presidenti i kampionëve gjermanë të Bajernit ka folur edhe lidhur me zërat e një blerjeje të mundshme të kampionit gjerman, Julian Draksler duke thënë: "Karl-Hainz Rumenige dhe unë kemi folur gjatë së fundmi lidhur me përbërjen e shkëlqyer që ka skuadra bavareze. Nëse do të përfshiheshim në blerjen e një lojtari sikurse është Julian Draksler, pyetja do të ishte e njëjtë si atëherë kur morëm Hames Rodrigezin: Çfarë do të ndodhë me Tomas Mylerin? Është e qartë që Julian Draksler është një lojtar, i cili do t'i përshtatej mjaft mirë skuadrës së Bajernit, por nuk duam të lëmë jashtë asnjë prej lojtarëve që kemi në këtë skuadër, aq më tepër tanimë që edhe të dëmtuarit janë gati për t'u rikthyer në fushë".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.