Grezda nuk fshihet: Pres të luaj

Panorama Sport (Albania) - - ELIMINATORET -

Mesfushori Eros Grezda është duke kaluar një formë mjaft të mirë me klubin e tij, Osijek në Kroaci dhe kjo gjë i ka siguruar atij një vend të rëndësishëm në ekipin kombëtar. 22vjeçari nga Gjakova nuk e ka fshehur dëshirën për t'u aktivizuar nga minuta e parë në sfidën ndaj Lihtenshtejnit. Grezda deklaroi gjithashtu se për Kombëtaren është gati të luajë në çdo pozicion kudo që t'i thotë trajneri. "Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë. Kam luajtur në Itali e Luksemburg. Nuk e di sa kam arritur t'i mbush mendjen trajnerëve, por unë gjithmonë kam dhënë maksimumin dhe tani pres që ndoshta të filloj nga minuta e parë dhe të tregoj veten", - ka thënë fillimisht Grezda. I pyetur për komunikimin me Panuçin dhe besimin që i ka dhënë trajneri i ri, ai u shpreh: "Nuk kam biseduar shumë, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe jemi të përqendruar te stërvitjet që po bëjmë. Trajneri do të provojë gjëra, do të bëjë zgjedhjet. Ai do të shikojë, cili është lojtari ideal për pozicionet ku luajmë". Duke qenë se disa sulmues mungojnë, Grezda mendon se është gati të sakrifikojë dhe të luajë si pykë. "Për Kombëtaren duhet të luajnë në çdo pozicion, kudo që thotë trajneri. Për mua nuk është problem që luaj edhe si sulmues, apo mesfushor pas sulmuesit. E rëndësishme është Kombëtarja dhe mundohemi të bëjmë më të mirën duke mposhtur Lihtenshtejnin".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.