Martini ndryshon kurs: Vllaznia skuadër super, shoh Europën

Ish- trajneri, optimist për ekipin e sezonit të ardhshëm

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Edi Martini, një nga emrat e njohur të futbollit shkodran, pasi ka qenë ish-sulmues dhe ish-trajner te Vllaznia, shpeshherë është dalluar për qëndrimet kritike në drejtim të klubit për organizimin dhe objektivat e skuadrës. Por, këtë herë Martini duket se ka ndryshuar kurs. Në një status në rrjetin social "Facebook", ai ka shkruar: "Për mendimin tim, Vllaznia ka bërë një superekip. Shpresoj që ky të jetë viti i kthesës s'e ka marrë superlojtarë. Shoh Kupat e Europës", ishin fjalët e Martinit, që këtë herë duket optimist. MERKATO - Pavarësisht se drejtuesit e klubit të Vllaznisë ende nuk kanë hequr dorë së kërkuari të paktën edhe për dy lojtarë, merkatoja e Vllaznisë mund të quhet thuajse e mbyllur. Ndonjë afrim i fundit mund të jetë spontan, pasi trajneri Cungu nuk pranon

asnjë lojtar pa kaluar më parë provën e tij. Afati i fundit për të afruar lojtarë është data 1 shtator dhe për të bërë blerje jashtë Superiores është pothuajse e pamundur.

BLERJET - Te Vllaznia në këtë merkato të verës janë afruar 5

lojtarë. Katër prej tyre kanë qenë pjesë e Superiores dhe vetëm njëri prej tyre ka firmosur kontratë pasi ka bindur trajnerin Cungu në fushën e lojës. Kuqeblutë kanë bërë pjesë të tyren për mesfushën treshen shkodrane Lika, Hasani e Vucaj, afrime që priten të japin edhe vlerat e tyre me kuqeblutë. Po ashtu është afruar edhe nigeriani kampion me Skënderbeun, Nuredin Orelesi. Një lojtar që sipas edhe teknikut Cungu është marrë për të luajtur në qendër të mbrojtjes. Ndërsa ai që ka bindur me paraqitjen e tij është ganezi Çarls Atsina, që do të mbajë një peshë jo të vogël në repartin e sulmit. PORTIERI - I vetmi lojtar që vijon stërvitjet me kuqeblutë, por ende nuk ka një kontratë është "gardiani" i portës, Erind Selimaj. Ky i fundit mësohet se ka rënë dakord me drejtuesit për të hedhur firmën në kontratë, por një gjë e tillë mund të realizohet vetëm ditën e sotme. Me këtë firmë mund të mbyllet edhe lista e lojtarëve që do të nisë për federim pranë FSHF-së klubi Vllaznia. Selimaj pritet të jetë titullar i skuadrës edhe në sezonin e ardhshëm futbollistik. Admir Uruçi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.