Kukësi lë Ohrin, Milinkoviç do Superkupën

Kampionët e Shqipërisë mbyllin fazën përgatitore, sytë nga ndeshja e 6 shtatorit kundër Tiranës

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Kukësi u ka dhënë dje fund përgatitjeve në Ohër të Maqedonisë. Pas zhvillimit në mëngjesin e së mërkurës të seancës së fundit, skuadra ka udhëtuar drejt Tiranës, e më pas lojtarët janë shpërndarë. Trajneri Mladen Milinkoviç do të lërë pushim ekipin gjatë ditës së sotme, për të nisur të premten përgatitjet në kuadër të ndeshjes finale të Superkupës së Shqipërisë kundër Tiranës, që do të zhvillohet më 6 shtator në stadiumin "Selman Stërmasi". Stafi i ri teknik i Kukësit kërkon medoemos që të nisë aventurën me një trofe. Kukësi është fituesi në fuqi i Superkupës, pasi edicionin e kaluar mposhti Skënderbeun në "Selman Stërmasi" me shifrat 3- 1. Milinkoviç e ka të qartë tashmë se cilët do të jenë lojtarët që do ta nisin nga minuta e parë, por gjithsesi deri më 6 shtator do të rishikohen disa gjëra.

Situata - Prej dy javësh, Kukësi u stërvit në Ohër dhe ajo që ka kënaqur më shumë stafin teknik është fakti se lojtarët i përballuan më së miri ngarkesat. "Panorama Sport" mëson se asnjë lojtar nuk ka pasur probleme me dëmtimet dhe se të gjithë kanë qenë nën urdhrat e Milinkoviç. Ditët e fundit grupit i është larguar vetëm mesfushori Besar Musolli, i cili është grumbulluar nga Kombëtarja e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, futbollistët i janë nënshtruar një programi të mirëmenduar nga stafi teknik dhe skuadra duket se ka kapur formën. Milinkoviç pret që sulmuesit Alijev dhe Bakaj të përshtaten shpejt me pjesën tjetër të grupit, teksa shihen si elementët më të rëndësishëm të ardhur në fundin e merkatos. Gjasat janë që Kukësi të mos bëjë më asnjë afrim deri të shtunën, kur dhe mbyllet merkatoja. Bilanci i kampionëve deri më tani është 10 të afruar dhe 13 të larguar. Hair Zeqiri, Rustem Hoxha, Bujar Idrizi, Ndriçim Shtubina, Elis Bakaj, Ardit Peposhi, Rauf Alijev, Stivi Frashëri, Samuel Gilmore dhe së fundmi Valon Etemi janë lojtarët e zyrtarizuar nga klubi kampion.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.