Starova: E nxora kampion Partizanin, ndërsa ai e rrëzoi nga kategoria

Ish-trajneri: Pse nuk foli kur na vodhën titullin...?!

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Sulejman Starovës nuk i kanë tingëlluar mirë fjalët e Duros për ecurinë e Partizanit në Kupat e Europës. Ishtrajneri i të kuqve ka replikuar sipas mënyrës së tij me ish-mikun e tij, të cilin vazhdon ta quajë "të vdekur". Në një deklaratë për "Panorama Sport", Starova i kujton Duros vitin e errët 2009, kur të kuqtë, nën drejtimin e tij, zbritën nga kategoria.

REPLIKA

"Këtij zotërisë, i cili për mua ka vdekur dhe nuk është më në listën e atyre për të cilët kam konsideratë, kisha vendosur të mos i përgjigjesha më kurrë, - e nis replikën Starova. - Por meqë ky kujtohet pas 3 muajsh për ecurinë e Partizanit në Europë, po i vë në dukje diferencat e mëdha që kemi bashkë. Unë e kam shpallur Partizanin kampion. Nuk i referohem vetëm vitit 1993, por edhe sezonit të shkuar. Ne u shpallëm kampionë, pavarësisht se titulli na u vodh. Unë e thashë këtë 4 muaj më parë, por atëherë askush nuk fliste për Partizanin. As ky që tani analizon ecurinë tonë në Europë", shprehet "Bobi". ECURIA NË EUROPË

Starova e ka një shpjegim edhe për eliminimin e Partizanit në turin e parë. "Së pari, po ju them se në Europë nuk luajti skuadra që praktikisht fitoi titullin, por ia vodhën atë. Në Europë luajti një skuadër pa Ekubanin, pa Ramadanin, pa Mallotën, pa Torrasën... Që ta marrin vesh të gjithë pra: Luajtëm me një skuadër që nuk ishte më e mira dhe nuk ishte e gatshme të përballej me Botev Plovdivin, sepse ende pa përfunduar mirë sezoni, drejtimin e mori Moxhi. Ai dhe drejtuesit vendosën që do të ndryshohej strategjia në ndërtimin e skuadrës dhe pas largimeve në fund të sezonit nuk u pa e arsyeshme që të bëheshin blerje të nxituara vetëm për Europën. U vendos që blerjet do të bëheshin të studiuara dhe të mos kishte afrime vetëm për Europë, - sqaron ish-trajneri. - Partizani në atë moment nuk ishte në gjendje të përballej si i barabartë me Plovdivin dhe meqë ky zotëria (Duro) përmend rivalët e skuadrave tona, i kujtoj se Plovdivi ishte një ekip që i shënoi 4 gola Tel Avivit. Sytë në ballë i ka edhe ta shohë se çfarë ekipi ishin bullgarët", vazhdon ishtrajneri.

RËNIA NGA KATEGORIA

Starova vazhdon të këmbëngulë se Partizani sezonin e shkuar ishte "de facto" kampion dhe ndërkaq i kujton Duros vitin 2009, kur "demat" ranë nga kategoria. "Unë, kur e kam drejtuar Partizanin, kam fituar titullin. Jo vetëm në vitin 1993, por edhe sezonin që shkoi. Ne na e vodhën vjet titullin dhe sa herë unë kam folur, nuk më kam dëgjuar askënd as të më kundërshtojë dhe as të më mbështesë. Heshtin! Mirë bëjnë që heshtin, por nuk mund të më flasë për Partizanin dikush që e ka rrëzuar nga kategoria. Kemi diferenca shumë të mëdha", përfundon Starova. J.Memo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.