Plaku pranë akordit, Tirana ofertë marramendëse

Lojtari i dyzuar, Kamza i jep edhe shiritin e kapitenit

Panorama Sport (Albania) - - FUTBOLL - ADELA MERKO

Tirana pret Sebino Plakun. Klubi dje paradite ka avancuar negociatat me sulmuesin, madje i kanë bërë edhe një ofertë zyrtare. Mësohet se bardheblutë janë gati të japin afro 6 milionë lekë (të vjetër) në muaj për lojtarin, ndërsa kontrata do jetë për 3 sezonet e ardhshme. Nuk do të mungojnë as "bonuset", që përfshijnë ngjitjen, trofetë, por ndoshta edhe golat. Shifër më shumë se joshëse dhe sidomos kur bëhet fjalë për një ekip të Kategorisë së Parë. Drejtuesit, përtej rënies, duket se nuk e kanë ulur standardin. Objektivi kryesor mbetet ngjitja e menjëhershme në elitë, por edhe fitimi i Kupës së Shqipërisë, ndaj për të realizuar këto dy synime, kryeqytetasit nuk kanë në plan që të kursehen. Autori i golit të dytë kundër Mlada Boleslav, që i dha Skënderbeut rrugë për të shkuar në fazën "play off" të Ligës së Europës, cilësohet nga Tirana si zgjidhje për krizën e sulmit. Deri më tani janë afruar Junus Sentamu dhe Eder Paulista, megjithatë stafi teknik dhe ai drejtues nuk ndiejnë qetësi. Në kësi kushtesh, "sytë" i kanë hedhur te një "ish", i cili llogaritet si i larguar nga Korça. Edhe pse 32-vjeçari është nën kontratë për një tjetër vit, "divorci" duket gjithnjë e më pranë dhe nga kjo situatë po tenton që të përfitojë edhe Tirana. Veç 24 herë kampionëve të vendit, në "lojë" për të marrë shërbimet e tij janë edhe Teuta me Kamzën, madje këta të fundit

për ta joshur, veç kontratës së majmë sezonale, i ofrojnë edhe shiritin e kapitenit. Vetë Plaku duket disi i dyzuar, pasi duhet të zgjedhë mes Superiores dhe së Parës. Por, në kampin kryeqytetas besojnë se do të jetë pikërisht ata opsioni më i mirë. Gjithsesi, përgjigjja finale e lojtarit

nuk do të vonojë. Mbrëmja e 1 shtatorit mbyll zyrtarisht edhe tregun e shitblerjeve, ndaj Sebino Plaku do të jetë i detyruar që të vendosë nëse do të mbetet në Korçë, do zgjedhë Kamzën, apo do veshë fanellën e bardhebluve, aty ku gjatë karrierës ka luajtur 30 ndeshje dhe shënuar 7 gola.

Plaku duke festuar golin ndaj Mladas

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.