Tomori goleadë në miqësoren me Butrintin

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA E PARË -

Prej disa ditësh të grumbulluar në qytetin bregdetar të Sarandës ku po zhvillojnë fazën përgatitore, Tomori e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të testuar gjendjen e lojtarëve në prag të kampionatit kombëtar për këtë edicion që ngre siparin më 16 shtator. Kështu dje, skuadra beratase ka zhvilluar një ndeshje miqësore me vendësit e Butrintit, fundi i së cilës pati për fitues skuadrën mike me rezultatin e thellë 5- 1. Të besuarit e teknikut Dule e gjejnë shumë shpejt rrugën e rrjetës, teksa kishin kaluar vetëm katër minuta lojë dhe Mirani i kalon të tijtë në avantazh. Vetëm dy minuta lojë kishin kaluar nga avantazhi dhe Tomori dyfishon shifrat, kësaj here me autor goli Onuh. Është po ky lojtar që i çon në tre shifrat në minutën e 15-të. Të zotët e shtëpisë do t'i ngushtojnë shifrat dhe golin e nderit për këtë takim me Sinaj në minutën e 21- të. Ndryshe nga Butrinti që luajti me të njëjtin formacion titullar, Tomori bëri mjaft rrotacion në skuadër duke shënuar edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë me Bubën në të 70-ën dhe Hysenin në të 88-ën. Beratasit kanë si objektiv primar pozicionimin në tri vendet e para të klasifikimit, por nuk e përjashton në asnjë mënyrë dëshirën për t'u ngjitur në elitë. Eris Sylyku

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.