Mezini vendos sfidën me Partizanin B

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA E PARË -

Tërbuni e ka mbyllur me fitoren e ngushtë 1-0 miqësoren e djeshme me Partizanin B. Takimi nisi i qetë nga dy ekipet që nuk rrezikuan deri në minutën e 20-të. Pas kësaj minute, Tërbuni u zgjua me Nimanin dhe Shabën, ku rrezikuan portën kundërshtare, por pa mundur të finalizonin. Jo pak raste regjistruan edhe kryeqytetasit, me të rinj në radhët e tyre, por që pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në fillim të pjesës së dytë, trajneri i Tërbunit, Kreshnik Krepi, bëri disa zëvendësime dhe tashmë janë ata që dominojnë lojën në mesfushë. Goli i fitores për skuadrën pukjane do të vinte në minutën e 72-të me mesfushorin Armando Mezini. Deri në fund nuk ka ndryshim rezultati të miqësore. Pas ndeshjes, tekniku Krepi u shpreh: "Jam i kënaqur me lojën e skuadrës. Në këtë takim aktivizova të gjithë lojtarët që kam në dispozicion dhe vura re se mjaft prej tyre janë në formën e duhur për sezonin e ri. Kampionati po afron dhe vëmendja e gjitha e jona është te ndeshja me Besëlidhjen". Ditmir Pema

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.