Lopez triumfon tek e 11-ta, From "blindon" kreun

Panorama Sport (Albania) - - ZONA MIKS -

Kolumbiani Miguel Angel Lopez i ekipit Astana ka fituar i vetëm etapën e 11-të të Vueltës së Spanjës me finish në malore në lartësinë 2120 metra në observatorin astronomik në Kalar Alto, etapë e cila ishte 187.5 kilometra e gjatë. Pas shpatullave të tij, të shkëputur 14 sekonda mbërritën Kris From dhe Vinçenc. Më të shkëputur kanë arritur në vijën e finishit Alberto Kontador, Fabio Aru dhe kolumbiani Çavez. Për çiklistin e Astanas kjo ishte edhe fitorja më e rëndësishme për të në karrierë. Humbësi i madh në udhëtimin e ditës së djeshme nën reshjet e shiut ishte çiklisti irlandez Nikolas Roshe. I nisur nga vija e startit vetëm 36 sekonda mbrapa liderit të garës iberike, From në fundin e etapës së 11-të e sheh veten shumë poshtë në klasifikimin e përgjithshëm, respektivisht i 11-ti me një diferencë të thellë prej 4 minutash e 45 sekonda nga From. Britaniku i Sky ka blinduar kryesimin me kohën e përgjithshme 45h18'01", por tashmë me ndjekës italianin e Bahrain-Merida, Vinçenco Nibali, +1 minutë dhe 19 sekonda më i ngadaltë. From synon të bëhet çiklisti i tretë në histori që arrin të fitojë brenda një sezoni si Turin e Francës gjithashtu edhe Vueltën e Spanjës. Etapa e 12-të që do të përshkohet sot është e gjatë 160 km dhe ndjek si itinerar Motril-Antequera Los Dolmenes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.