“Nuk e kursejmë Krosin në eliminatore”

Panorama Sport (Albania) - - FUTBOLL -

Një ditë përpara startit të kualifikueseve për Kupën e Botës ndaj kombëtares së Çekisë, menaxheri i kombëtares gjermane, Oliver Birhof, ka folur në konferencën për shtyp duke zbuluar detajet mbi skuadrën dhe formën e saj.

Si e shihni gjendjen e kombëtares në këto momente?

Starti I këtyre eliminatoreve është një ngjarje me shumë rëndësi për ne, pasi do të jetë hapi i parë për në kompeticionin më të rëndësishëm botëror, Kupën e Botës. Jemi takuar katër herë gjithsej me të gjithë skuadrën çka nuk është një kohë e mjaftueshme. Megjithatë në Kupën e Konfederatave kemi shfaqur atë që donim dhe u kemi dhënë lojtarëve të rinj një mundësi për të treguar veten. Tanimë do të kemi mundësinë të rikthejmë në kombëtare edhe lojtarët, të cilët arritën triumfin në Botërorin e vitit 2014, çka do ta rrisë cilësinë në skuadër. Megjithatë në Kupën e Botës është një ndjesi komplet ndryshe nga ajo e Kupës së Konfederatave. Por jemi në një gjendje mjaft të mirë dhe besoj se do ia dalim me sukses. Çfarë mendoni lidhur me Tomas Mylerin?

Tomas është një lojtar unik i kësaj skuadre. Ashtu si në kombëtare edhe në skuadrën e Bajernit ndodh që nuk mund të aktivizohesh gjithnjë. Ai luan me të gjithë fuqinë për rreth 90 minuta dhe asnjëherë nuk dorëzohet deri sa t'i japë skuadrës fitoren.

A mendoni se do ju duhet të ruani lojtarë në këtë fazë?

Skuadra jonë ka dhënë rezultate të shkëlqyera në Kupën e Konfederatave, megjithatë në Botëror do të jemi përballë kundërshtarëve edhe më të rrezikshëm. Edhe pse janë eliminatore nuk do të thotë që do të na duhet të ruajmë lojtarët tanë më të mirë sikurse është edhe Toni Kros. Me një skuadër si e jona kemi mjaft mundësi zgjedhjeje, edhe pse kemi të dëmtuar, jemi pozitivë pasi kemi opsione të tjera zëvendësimi.

Cili është synimi juaj për këto sfida?

Jemi një skuadër, e cila kërkon gjithnjë fitoret dhe mendoj se Kupa e Botës nuk bën aspak një përjashtim edhe pse përballë kemi kundërshtarë tejet të fuqishëm. Do të na shërbejnë këto dy muaj që kemi përpara për të shqyrtuar më mirë variantet që do të kemi në mënyrë që të mos gabojmë në taktikat e skuadrës. Megjithatë mendoj se jemi gati në aspektin e formës dhe psikologjisë së skuadrës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.