Nejmar në krye të katër mosketierëve "francezë"

Panorama Sport (Albania) - - FUTBOLL -

Pas largimit të bujshëm nga Barcelona drejt Francës për 222 milionë euro, Nejmar rikthehet të luajë një ndeshje zyrtare për kombëtaren e vendit të tij. Dhe ajo përkon me kualifikueset e Botërorit Rusi 2018. Së bashku me sulmuesin janë grumbulluar edhe katër shokët e tij te PSG-ja Markinjos, Tiago Silva dhe Dani Alvesh. Brazili është ndër ekipet e para të kualifikuara për Botërorin rus dhe sfida ndaj Ekuadorit (i gjashti në renditjen aktuale me kualifikimin në rrezik) në Porto Alegre do të jetë një mundësi testimi skemash dhe lojtarësh për vendësit e drejtuar nga Tite. Brazili është në klime feste dhe këtë e dëshmojnë videot e shumta të postuara nëpër rrjete sociale nga yjet e kombëtares, të cilët përveç driblimeve të zakonshme kanë postuar edhe video, teksa dëfrehen duke luajtur pingpong me këmbë në një tavolinë të improvizuar. Tifozët e PSG- së, e përfaqësuar nga katër yjet e sipërpërmendur kanë një motiv më shumë krenarie për të ndjekur ndeshjen, e cila do të luhet mëngjesin e 1 shtatorit në ora 02: 45. Në ndeshjen ndaj Ekuadorit Nejmar do të kërkojë golin e 53-të me fanellën e vendit të tij. Shifra të frikshme këto të 25 vjeçarit, i cili deri më sot ka luajtur 77 ndeshje me "Seleçaon" dhe aktualisht është në vendin e katërt për sa i përket golashënuesve më të mirë brazilianë ndër vite. Objektivi i deklaruar prej kohësh është kuota e 77 golave të shënuar nga Pele, "mbretit" në atdheun e sambas. Për moshën dhe rendimentin e sulmuesit të parisienëve, shifra duket jo vetëm e arritshme por edhe e tejkalueshme. Një tjetër mundësi për t'iu afruar "O Rey-t" do të jetë sfida e 5 shtatorit në Kolumbi, por nuk dihet nëse Tite do t'i mbajë të gjitha yjet për shkak të kualifikimi siç thamë të siguruar për Rusi 2018. Kryendeshja e grupit amerikano-jugor që do të luhet në orën 01:00 të 1 shtatorit është ajo mes Uruguait dhe Argjentinës. Mesi mund të ketë përballë shokun e skuadrës te Barça, Luis Suarezin, i cili ka dhënë sinjale pozitive për tejkalimin e dëmtimit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.