Xhafa mbyll sezonin, Branica rrezikon 7 javë

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA SUPERIORE -

Lushnja dje ka bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke pasur me vete edhe përkrahjen e rreth 3000 sportdashësve në shkallët e stadiumit, teksa të tjerë kanë ndjekur takimin edhe përtej rrethimit të impiantit. Mirëpo, takimi nisi pa fat për verdhejeshilët. Në fraksionin e parë, trajneri Bano u detyrua që të kryente dy zëvendësime të detyruara. Për fat të keq, dy futbollistë të Lushnjës, mbrojtësi Xhafa dhe mesfushori Branica, u dëmtuan dhe u transportuan me autoambulancë për në spitalin civil "Ihsan Çabej" të Lushnjës, që ndodhet pranë stadiumit "Roza Haxhiu". Dy futbollistët verdhejeshil janë vizituar në urgjencë nga mjeku i këtij spitali, Kastriot Nezha. Gazeta "Panorama Sport" ka mësuar se konstatimet e para kanë qenë për një dëmtim të rëndë të ligamentit për Xhafën. Faza e rikuperimit, sipas mjekut specialist, mund të shkojë deri në një vit. Në këto kushte, duket se qendërmbrojtësi të ketë përfunduar sezonin ende pa nisur mirë. Ndërsa për Branicën është konstatuar një dëmtim i klavikulës në shpatull, që mund të kërkojë 6-7 javë rikuperim. Klejdis Branicës i është vendosur allçi në shpatull.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.