Keiroz injoron Lopeteguin: Irani luan kundër Marokut

Trajneri i Iranit kërkon 3 pikët kundër Marokut

Panorama Sport (Albania) - - KUPA E BOTËS -

Stadiumi frymëzues i Shën Pjetërburgut do të jetë arena e garës mes Marokut dhe Iranit. Hera e fundit që marokenët ishin në Kupën e Botës ishte dy dekada më parë, në "Francë 1998" dhe nën drejtimin e Hërve Rënar ata duan të shkojnë sa më larg që të jetë e mundur. Ndërsa Irani arrin për të herë të dytë radhazi të kualifikohet në një Kupë Bote. Nën drejtimin e Karlos Keirozit, i cili do të largohet pas turneut pas 7 viteve në stolin e Iranit, skuadra duket shumë e motivuar. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Grupit B, ish-ndihmësi i Sër Aleks Fergusonit u pyet edhe për shkarkimin e Lopeteguit nga stoli i Spanjës, rivales tjetër të grupit bashkë me Portugalinë. "E kuptoj pyetjen dhe e respektoj atë, por ne luajmë kundër Marokut..." u përgjigj tekniku portugez, duke e injoruar pyetjen. "Duhet të respektoj ndeshjen e parë të Iranit. Do kem kënaqësinë që të flas shumë për Spanjën pas ndeshjes. Kjo është ndeshja e parë dhe është shumë speciale për të dyja skuadrat. Jemi gati për Marokun dhe shumë të motivuar. Luajmë kundër një skuadre të fortë dhe trajneri të mirë. Ata do të luftojnë për 3 pikët. Mënyra më e mirë për të larguar presionin është të fitojmë". Ai është i

ndërgjegjshëm për forcën e skuadrës së tij: "Spanja është një nga favoritet dhe ka të njëjtat shanse për të kaluar më tej së bashku me Portugalinë. Por ne nuk do të tolerojmë askënd që thotë se ne nuk mund të fitojmë apo nuk mund t'ia dalim", shtoi 65-vjeçari.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.