Kamza çorienton Kukësin, kaos për stadiumin

Klubi verilindor është i vendosur, por ka edhe një plan B

Panorama Sport (Albania) - - FAQE 1 - SKERDILAID SULOZEQI

Kur nuk ke një stadi um ku të luash, natyrisht që duhet të parashikosh edhe incidente të tilla. Ajo që po i ndodh Kukësit në orët e fundit është një situatë sa komike, aq edhe skandaloze për seriozitetin e kampionatit. Klubi verilindor, prej dy ditësh ka depozituar në FSHF një marrëveshje me Bashkinë e Kamzës, për të luajtur në stadiumin e kësaj të fundit ndeshjen ndaj Teutës, e parashikuar për nesër në orën 14:00. Mirëpo, një reagim i presidentit të Kamzës, Naim Qarri, në mbrëmjen e së premtes, futi në një kaos të vërtetë situatën. Edhe në FSHF janë kapur të papërgatitur, paçka se nga klubi i Kukësit insistojnë se do të luajnë në stadiumin e Kamzës. "Nuk ka asnjë shans që Kukësi të zhvillojë ndeshjet në fushën tonë. U bëjmë thirrje drejtuesve kuksianë të gjejnë një tjetër stadium", - deklaronte Qarri. Dje "Panorama Sport" kontaktoi zyrtarisht në Bashkinë e Kamzës për të marrë një reagim në lidhje me çështjen e stadiumit. "Me lejen e kryebashkiakut Xhelal Mziu, klubi i Kukësit do të luajë të hënën në stadiumin e Kamzës", - konfirmoi zëdhënësi për shtyp në bashki, Artan Dervishi. Siç dihet, impianti është pronë e bashkisë, prandaj dhe vendos kjo e fundit. Mirëpo, mesa duket përplasjet mes presidentit të të Kamzës, Naim Qarri, si dhe kryebashkiakut Mziu, kanë bërë që të ketë

mendime ndryshe edhe për lënien me qira të stadiumit për Kukësin.

PLANI B - Në këtë mes është klubi verilindor ai që duhet të qartësojë situatën, pasi organizon ndeshjen. Deri dje, në sektorin e garave në FSHF mësohet se kanë qenë të paqartë për situatën, teksa

kanë urdhëruar klubin e Kukësit që të marrë masa të menjëhershme, duke iu shmangur ndonjë surprizë në momentet e fundit. Gazeta mëson se në rast të ndonjë problematike dhe konfirmimit për moszhvillim të ndeshjes në Kamzë, atëherë plani B i Kukësit është stadiumi "Selman Stërmasi". Në këtë të fundit do të luhet sot PartizaniLaçi, por në FSHF kanë dhënë OK-in, që nëse bie poshtë pista e Kamzës, atëherë KukësiTeuta të luhet të hënën në orën 14:00 në "Selman Stërmasi". Nëse ndodhte kështu, atëherë do të ishte rekord, pasi në gjashtë ditët e fundit në këtë stadium do të regjistroheshin katër ndeshje të zhvilluara. Përtej kësaj, te Kukësi po punojnë me idenë që takimi ndaj Teutës do të zhvillohet në Kamzë. Vetë presidenti Gjici ka qenë i angazhuar dje të zgjidhë këtë ngërç dhe ka marrë garancinë se s'do ketë ndryshim stadiumi. Megjithatë, çdo gjë mbetet për t'u parë sot, pasi sektori i garave në FSHF nuk konfirmonte asgjë deri dje në mbrëmje. Kujtojmë që për javën e 11-të Kukësi luajti si pritës në Kamzë ndaj Flamurtarit, duke humbur 12 dhe kjo kundër Teutës do të ishte takimi i dytë.

Çast nga stërvitja e djeshme FOTO: F.Hazizllari

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.