KLD pezullon dy gjyqtarë nën hetim

Shekulli - - RADAR} - Eva hoxha

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë u mbyll dje më pezullimin e gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu dhe shkarkimin e gjyqtarit nga Pogradeci, Dhimitër Pojanaku. Vendimi u mor me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, i cili i kishte kërkuar Presidentit Bujar Nishani mbledhjen e KLD-së, për të pezulluar nga detyra gjyqtarin e Kavajës, Osman Aliu, pasi ai është nën hetim për fshehje të pasurisë. Gjyqtari Aliu është marrë si i pandehur dhe dosja është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Tiranës. Gjyqtari kishte kryer 41 transferta jashtë vendit nëpërmjet agjencive të ndryshme në Kavajë e Durrës, por këto veprime ai nuk i kishte pasqyruar në deklaratën e pasurisë. Ndërkohë, Dhimitër Pojanaku është një tjetër emër në radhët e drejtësisë shqiptare që akuzohet për ryshfet. Ai po hetohet në "arrest shtëpie" për marrjen e ryshfetit në këmbim të drejtësisë. Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes, Naço u shpreh se këto vendime, edhe pse me vonesë, i kthyen integritetin institucionit të drejtësisë, që konsiderohet si qeveria e gjyqësorit. Më tej, ministri i bëri thirrje Presidentit Bujar Nishani, që të zbatojë ligjin përsa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së. “I kërkoj Presidentit që të respektojë ligjin, pasi deri më tani kërkesa ime ka rënë në vesh të shurdhër”, tha Naço. Për ministrin, ky institucion vepron i cunguar pa nënkryetarin, posti i të cilit u la bosh pas shkarkimit të Elvis Çefës nga Kuvendi. Çefa e fitoi betejën ligjore në Kushtetuese dhe kërkon rikthimin e tij në detyrë. ministri i Drejtësisë u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve që të “mos fusin duart në xhepat e qytetarëve”. Naço tha se kjo mazhorancë është e vendosur në realizimin e reformës në drejtësi, duke i trajtuar të gjithë si të barabartë para ligjit.“Jemi të vendosur që të vëmë përpara drejtësisë të gjithë ata që shkelin ligjin. Ne mendojmë që në çdo rast, korrupsioni duhet të dënohet për çdo vlerë, qoftë e vogël apo e madhe", deklaroi ministri Naço.

Vendimi u mor pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë. Naço i bën thirrje Nishanit të

caktojë nënkryetarin e KLD-së

Foto: LSA

Ministi i Drejtësisë Nasip Naço

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.