Fatos Klosi: Fushatë për kandidatët e koalicionit të majtë

Shekulli - - THELLË} - Mirel sheme

Ish-kreu i SHISH-it u shpreh se do të jetë pjesë aktive e politikës duke mbështetur kandidatët

e koalicionit për zgjedhjet e 21 qershorit

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, vendos të angazhohet plotësisht në politikë. Klosi ka qenë një nga eksponentët më të rëndësishëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në kohën e krijimit të saj. Ndërsa vendosi të largohet në vitin 2009 për shkak të firmosjes së marrëveshjes mes PD-së dhe LSI-së, për kalimin e partisë së tij në koalicionin e djathtë qeverisës. Gjatë prezantimit të kandidaturës së koalicionit të majtë për bashkinë e Mallakastrës, Shyqo Kapllani, Klosi mbajti edhe një fjalim përshëndetës.

Prezantimi

Deputetët e majtë Petrit Vasili e Piro Lutaj dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, prezantuan kandidatin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropianë”, për bashkinë e Mallakastrës, Shyqo Kapllani. Ndërsa ajo që ra në sy ishte prania e ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Pas largimit nga Partia Socialiste, Klosi u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të LSI-së, madje në vitin 2005 ka qenë edhe kandidat për deputet në zonën e tij, Mallakastër, por nuk ia doli të merrte mandatin. Në vitin 2009, Klosi doli publikisht kundër nënshkrimit të marrëveshjes mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, mbi bazën e të cilës LSI-ja u bë pjesë e koalicionit qeverisës të kryesuar nga Sali Berisha, ish-kreu i SHISHit, Klosi u largua, duke hequr dorë edhe nga jeta aktive politike. Zgjedhjet vendore të 21 qershorit duket se po e rikthejnë Fatos Klosin në një angazhim në politikë. Gjatë prezantimit të kandidatit të mazhorancës për bashkinë e Mallakastrës, Klosi u pa në krah të deputetëve Vasili e Lutaj, por edhe të zëvendësministrit Koçi, duke mbajtur edhe një fjalim në mbështetje të kandidatit Shyqo Kapllani. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Klosi u shpreh se ky nuk mund të quhet një rikthimi i tij në politikë, pasi sipas tij, ai ka qenë pjesë e saj. Për Klosin, ky është një angazhim më i madh në mbështetje të kandidaturave të mazhorancës për zgjedhjet e 21 qershorit. “Natyrisht që unë nuk kam qenë jashtë politike. Kam qenë brenda saj, edhe pse nuk kam qenë shumë aktiv, prandaj nuk mund ta quaj një rikthim. Nuk kam qenë pjesë formale në radhët e LSI-së apo të PS-së, por gjithmonë kam qenë në ndjekje të ngjarjeve politike të tyre, por tani do të ketë një angazhim më të madh nga ana ime. Unë nuk mund t’i ndaj dot PS-në dhe LSI-në nga njëra-tjetra dhe më vjen mirë që janë së bashku në koalicion”, u shpreh Klosi. Sipas tij, kjo është edhe më e thjeshtë, pasi ai ka qenë pjesë e të dy partive. “Tani nuk mund ta quaj veten, as i njërës dhe as i tjetrës, por i të dyjave njëkohësisht”, u shpreh Klosi. I pyetur nga ana jonë në lidhje me largimin e tij nga LSI-ja në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes më PD-në, Klosi u shpreh se në 2009 nuk u pajtua dot me këtë lloj marrëveshje dhe për pasojë u largua nga LSI-ja dhe nga jeta aktive politike. “Dalja ime tani është një angazhim më i madh në kuadër të koalicionit që unë jam përkrahës, madje jo vetëm përkrahës, por jam në brendësi të tij. Prandaj unë isha edhe sot (dje) në Mallakastër, ku u prezantua kandidati i koalicionit të majtë. Unë natyrisht që do të jem aktiv përgjatë gjithë fushatës. Jam dy herë i kënaqur jo vetëm për faktin që punoj për të majtën, por për faktin që partitë kryesore të së majtës janë bashkë në koalicion”, tha Klosi. Ishkreu i SHISH-it kohët e fundit ka qenë edhe në vëmendjen e medias dhe të opinionit publik për shkak të një debati mes tij, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe ishkryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko. Qeveria e Kosovës e shpalli ish-kreun e SHISH-it si veteran lufte, për shkak të kontributit të tij gjatë luftës në Kosovë, duke i lidhur edhe një pension mujor. Ndërsa ditët e fundit debati mes tyre ka lindur për shkak të figurës së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rrugova.

Do të jem aktiv përgjatë gjithë fushatës. Jam i kënaqur që punoj për të majtën, dhe sidomos tani që partitë kryesore të së majtës janë bashkë në koalicion

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.